Një festë mes katër të rinjve është kthyer në një ngjarje të rëndë në Tiranë, pranë kthesës së Kamzës, në banesën private të familjes së 19-vjeçarit Rigers Sylaj.
Sipas burimeve policore, Sylaj kishte mbledhur tre shokët e tij pas mesnate për të festuar në shtëpi, ku të rinjtë kishin konsumuar edhe alkool. Gjatë qëndrimit në banesë, 19-vjeçari ka nxjerrë një armë zjarri, të cilën dyshohet se e mbante të fshehur prej kohësh, bën me dije gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj.
Bëhet fjalë për një pistoletë të kalibrit të vogël, me të cilën i riu po mburrej para shokëve. Duke mos qenë në dijeni se arma kishte fishek në fole, ai e ka shkrepur aksidentalisht, duke plagosur rëndë në kokë një 17-vjeçar, mikun e tij.
Pas ngjarjes, të rinjtë e kanë nxjerrë të plagosurin në oborrin e banesës dhe kanë njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën. I mituri është transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Sipas mjekëve, orët në vijim janë vendimtare.
Fillimisht, tre të rinjtë kanë deklaruar para hetuesve se ndodheshin në oborrin e banesës kur kanë dëgjuar të shtëna armësh dhe se një plumb kishte goditur 17-vjeçarin. Por deklaratat e tyre kanë ngritur dyshime tek grupi hetimor.
Pas marrjes sërish në pyetje dhe ballafaqimit mes tyre, si edhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, të rinjtë kanë pranuar versionin e vërtetë të ngjarjes, duke treguar se gjithçka kishte ndodhur brenda banesës gjatë konsumimit të alkoolit.
Policia ka arrestuar Rigers Sylaj, i cili përballet me akuzat për: plagosje të rëndë nga pakujdesia, armëmbajtje pa leje, moskallëzim të së vërtetës.
Ndërkohë, dy të rinjtë e tjerë janë arrestuar për moskallëzim të së vërtetës.
Sipas të dhënave paraprake, 19-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë. Ai është djali i një ushtaraku, pjesë e Forcave të Armatosura, ndërsa hetuesit pritet të marrin në pyetje edhe prindërit për të verifikuar nëse kanë pasur dijeni për armën.
Hetimet vijojnë për të zbuluar mënyrën se si arma e zjarrit ka përfunduar në duart e të riut dhe lidhjet e mundshme me personat që mund t’ia kenë siguruar atë.
/vizionplus.tv





