Në një vizitë zyrtare në Tokyo, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u prit me ceremoni të lartë shtetërore nga Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi. Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Gjatë deklaratave të tij, Rama theksoi se marrëdhëniet Japoni–Shqipëri bazohen në vlera dhe parime të përbashkëta, duke shprehur mbështetje për strategjinë e Indo-Paqësorit dhe gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve. Rama gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ftoi kryeminsitren Takaichi të marrë pjesë në Samitin e NATO, i cili do të organizohet vitin e ardhshëm në Tirana.
“E nderuar kryeministre! Së pari, më lejoni që t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj, të cilën nuk do ta harroj dhe gjithashtu kam dëshirë të them që kam pasur mundësinë që të jem pjesë e shumë ceremonive, por kjo ceremoni e sotme është vërtetë e veçantë.
Nga ana tjetër, dëshiroj të them që kjo është vizita ime e dytë në Japoni në një kohë relativisht të shkurtër dhe me shumë kënaqësi, ne presim fuqizimin e kësaj marrëdhënieje.
Marrëdhënia Japoni-Shqipëri është një marrëdhënie e cila është e bazuar tek vlerat dhe tek parime të përbashkëta për botën në të cilën ne dëshirojmë të jetojmë dhe po, është në fakt e vërtetë që e kam parë strategjinë e Indo-Paqësorit dhe e mbështesim atë plotësisht.
Ashtu siç mbështesim plotësisht të gjithë përmbajtjen e kësaj strategjie dhe për këtë arsye, me shumë kërshëri ne presim që të eksplorojmë mundësi të ndryshme se si mund të afrohemi me Japoninë dhe nga ana tjetër, dëshiroj t’ju them edhe paraprakisht që vitin e ardhshëm, në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin e NATO-s. Për këtë arsye, kam kënaqësinë e veçantë që t’ju ftoj të merrni pjesë në atë Samit dhe në fakt, kur të vini, do të jetë edhe rasti i parë kur një kryeministër apo kryeministre e Japonisë të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe do të ishte kënaqësi që t’ju mikprisnim dhe në një farë mënyre, të marrim “hak”, për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që ju na keni ofruar dhe na ka lënë mbresa.
Pra edhe njëherë, e nderuar Kryeministre, faleminderit shumë dhe me shumë dëshirë dhe kënaqësi, pres bashkëbisedimin tonë.
Gjithashtu, përpara se ta mbyll këtë fjalë të parë, më lejoni që t’ju përgëzoj për fitoren tuaj vërtet fantastike dhe është mbresëlënëse që shikojmë në fakt një grua në krye të qeverisë, me të gjithë të tjerët që janë burra në kabinetin e saj, jeni e dyta pas ish-kryeministres së Britanisë, të ndjerës Margaret Thatcher. Kështu që, faleminderit shumë dhe urim për ju dhe për popullin tuaj! “, tha Rama.





