Të rinjtë po orientohen gjithmonë e më tepër drejt arsimit profesional në juglindje. Kjo vihet re nga numri i shtuar i aplikimeve për t’u regjistruar pranë shkollës teknike profesionale.
“Shohim një rritje nga viti në vit për arsimin profesional. Janë drejtime që shkojnë drejt tregut të punës. Të gjithë ata të rinj që zgjedhin arsimin profesional kanë disa përfitime. Librat përfitohen falas, ata që vijnë nga larg përfitojnë pagesë transporti, trajtohen me bursë personat me aftësi të kufizuara, familjet në nevojë. Ne sot kemi nevojë për profesionistë, për elektricistë, hidraulikë, për të mos vuajtur për ustain që të gënjen. Do ta kemi më të lehtë për të gjetur ustain dhe atë të ri që rri në Korçë e punon me dëshirë të madhe”, Anxhela Taho, Drejtoreshe e Shkolles profesionale.
Andri Shali është në vit të fundit në shkollën teknike profesionale në Korçë. Ai tregon se nëpërmjet arsimit profesional ka nisur edhe punë dhe sot ka një zanat që do t’i hyjë në punë për të ardhmen e tij.
“Jam në vit të fundit. Ishin disa shokë më parë, prindërit më thanë e m’u mbush mendja. Unë edhe studioj, edhe punoj. Me ashensorët. Proceset elektrike, bazat i kam marrë në shkollë dhe e kisha më të lehtë. Për një zanat. Me një zanat, në vit të dytë shkon në biznese, ambientohesh”, Andri Shali, gjimnazist.
Në një Shqipëri ku shumë kompani vuajnë për punëtorë, shkollat profesionale duket se janë çelësi për të afruar të rinjtë me tregun.
/vizionplus.tv





