Ukraina përgatitet për takime kyç me aleatët, ndërsa sulmet ruse vazhdojnë

Derisa bisedimet për paqe po hasin në vështirësi dhe sulmet ajrore ruse po vazhdojnë, Qeveria e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po përgatitet për dy takime të rëndësishme me aleatët këtë javë: takimin e të ashtuquajturit Grupi i Ramsteinit, i cili do të pasohet nga një takim i Koalicionit të Vullnetit.
Këto takime do të mbahen në një kohë kur Rusia nuk po jep asnjë shenjë gatishmërie për t’i dhënë fund luftës.
“Do të mbahet një takim i Ramsteinit, i cili duhet të sjellë rezultate”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes, të publikuar me video më 15 nëntor, duke iu referuar takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është planifikuar të mbahet më 17 nëntor në Bruksel.
“Ky takim do të dërgojë mesazh të fortë për Rusinë, se Ukraina nuk do të mbetet pa mbështetje”, shtoi Zelensky.
I njohur jozyrtarisht si Grupi i Ramsteinit, ky grup bashkërendon mbështetjen ushtarake për Ukrainën nga aleatët perëndimorë. Takimin e ardhshëm do ta udhëheqin ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Lideri ukrainas tha se synimet kryesore të Kievit janë forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit, përfshirë sigurimin e raketave dhe sistemeve shtesë Patriot, si dhe të sistemeve kombëtare të avancuara të raketave kundërajrore, NASAMS.
“Kërcënimi nga raketat balistike ruse mbetet shumë serioz dhe ne kemi të dhënat të inteligjencës që tregojnë se po përgatiten sulme të reja”, tha Zelensky.
Ukraina po përballet me vështirësi për t’i mbrojtur qytetet nga dronët rusë me motorë reaktivë, të cilët mund të fluturojnë pothuajse dy herë më shpejt se modelet e vjetra. Për këtë arsye, Kievi ka kërkuar përshpejtimin e dërgesave të armëve më të avancuara mbrojtëse nga Perëndimi.
Takimi i Koalicionit të Vullnetit “mund të jetë historik”
Zelensky tha se Ukraina po përgatitet gjithashtu për një takim në Berlin të Koalicionit të Vullnetit, të cilin e cilësoi si “një takim të rëndësishëm që mund të jetë historik”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Andy Burnham, do ta udhëheqin takimin e këtij koalicioni. Ky është një grupim joformal, i krijuar në fillim të vitit 2025 nga shtetet që janë zotuar ta ndihmojnë Kievin dhe që mund të marrin pjesë në një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse, në rast se arrihet marrëveshje për armëpushim.
Merz tha se në takim pritet të marrin pjesë më shumë se 20 krerë shtetesh dhe qeverish.
“Qëllimi ynë është të arrijmë dy gjëra: së pari, të sigurojmë financimin për mbrojtjen e Ukrainës për vitin 2027 dhe, së dyti, të arrijmë një qëndrim të përbashkët lidhur me bisedimet e ardhshme për paqe”, tha ai.
Zelensky tha se “e kemi mundësinë të krijojmë një qëndrim vërtet të fortë dhe të unifikuar evropian për negociatat”.
“Po përgatitim gjithashtu një vlerësim të punës së koalicioneve ekzistuese që mbështesin Ukrainën, cilat prej tyre po i përmbushin vërtet detyrat dhe, cilat, për të qenë të sinqertë, kanë mbetur vetëm struktura boshe. Do të punojmë për t’u dhënë përmbajtje”, tha ai.
Më 9 nëntor, Koalicioni i Vullnetit nisi stërvitjen e parë ushtarake, e cila synon të mbështesë periudhën e mundshme të pasluftës në Ukrainë.
Rreth 3.000 ushtarë nga 11 shtete po marrin pjesë në këto manovra, të cilat kanë për qëllim testimin e mënyrave për të ruajtur paqen pas arritjes së një armëpushimi që do t’i jepte fund luftës.
Stërvitja, e udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe, po zhvillohet në Poloni, në hapësirën ajrore mbi Rumaninë dhe në pjesën perëndimore të Detit të Zi. Ajo pritet të zgjasë deri më 22 nëntor.
Moska e kritikoi ashpër këtë stërvitje, duke e akuzuar koalicionin se po përgatitet për luftë me Rusinë.
Rusia dhe Ukraina vazhdojnë sulmet
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina vazhduan shkëmbimin e sulmeve ajrore, disa ditë pasi një sërë aktivitetesh diplomatike, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, nuk sollën përparim në përpjekjet për t’iu afruar një marrëveshjeje për paqe.
Zelensky tha në rrjetin social X se forcat ruse sulmuan të paktën nëntë rajone më 15 nëntor. Në disa prej tyre, cak ishin infrastruktura energjetike, ajo civile dhe hekurudhore. Nga sulmet u plagosën të paktën 16 persona.
Ndërkohë, princi britanik Harry u takua me ushtarë të plagosur gjatë luftimeve, në kuadër të një vizite dyditore në Ukrainë, e cila nuk ishte njoftuar paraprakisht. Kjo ishte vizita e tij e katërt në vend që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
“Ju do ta fitoni luftën dhe më pas do të krijohen kushtet që ju të keni sukses”, tha ai gjatë një konference për personelin mjekësor, të organizuar nga Superhumans, një klinikë e specializuar për personat e plagosur në luftë.
Harry mori pjesë në aktivitete më 14 dhe 15 nëntor në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv. Deklaratat e tij u bënë publike vetëm më 15 nëntor, pasi ai ishte larguar nga Ukraina, për arsye sigurie./rel




