Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, ku punimet janë pezulluar pas konflikteve mes kompanive dhe aksionarëve.
Në një konferencë për mediat, ministri Enea Karakaçi thekson se Aeroporti i Vlorës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të dekadës së fundit, me një pistë prej 3.2 kilometrash dhe me kapacitet fillestar prej 2 milionë pasagjerësh në vit.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas ministrit, çdo mosfunksionim apo bllokim i projektit nuk përbën vetëm një çështje biznesi privat, por prek drejtpërdrejt interesin publik dhe shtetëror. Ai paralajmëron se çdo ditë vonesë sjell humbje ekonomike për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit, si dhe dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe besueshmërinë ndaj investitorëve të huaj.
Karakaçi: Dua të adresoj një nga çështjet më sensitive të ditëve të fundit që lidhet me Aeroportin e Vlorës. Dua të referoj qëndrimin e ministrisë sa i përket kësaj situate. Aeroporti i Vlorës është një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të dekadës së fundit, ka një pistë 3.2 km dhe me një kapacitet fillestar prej 2 mln pasagjerësh në vit. Mos-operimi ose bllokimi i tij nuk është thjesht çështje biznesi privat, është çështje e interesit publik dhe shtetëror. Çdo ditë vonesë ose bllokim përkthehet në humbjet ekonomike për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit. Pamundësia për të ofruar infrastrukturë ajrore funksionale dëmton reputacion ndërkombëtar dhe dërgon mesazhe negative tek investitorët e mundshëm. Shqipëria nuk mund të paraqitet jo serioze para partnerëve të saj për shkak të mosmarrëveshjeve private mes aksionarëve.
Ministria shprehet se po e ndjek me vëmendje të gjithë procesin e ndërtimit të aeroportit dhe se është siguruar që procedurat të jenë në përputhje me detyrimet kontraktuale. Megjithatë, sipas saj, situata e krijuar nga palët zhvilluese, përfshirë bllokimin e kantierit dhe konfliktet mes aksionarëve, ka sjellë vonesa të konsiderueshme.
Në deklaratë theksohet se kjo situatë nuk do të tolerohet dhe se shteti do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të garantuar respektimin e kontratave dhe vazhdimin normal të punimeve në Aeroportin e Vlorës.
Karakaçi: Shteti shqiptar është i detyruar dhe plotësisht i angazhuar të garantojë funksionimin e infrastukrurave të rëndësisë së veçantë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur me vëmendje të plotë çdo fazë të ndërtimit të Aeroportit. Ministria ka siguruar që të gjitha proceset të jenë në përputhje me detyrimet kontraktore. Ministria vëren me shqetësim se sjellja deri tani e palëve zhvilluese, bllokimi fizik i kantierit, konfliket gjyqësore mes aksionarëve kanë shkaktuar vonesa kritike, kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të garantuar respektimin e detyrimeve kontraktore.







