Operacioni policor i koduar “No Guns 2” ka çuar në arrestimin e një 43-vjeçari Vasil Osmani në Fier, i cili posedonte armë zjarri pa leje në banesën e tij. Aksioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të kontrolleve për goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Sipas Policisë, i arrestuari është banues në fshatin Levan të Fierit. Ndërhyrja erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, të cilat çuan në organizimin dhe finalizimin e operacionit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 43-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri tip kallashnikov, si dhe municion luftarak, të cilat mbaheshin pa autorizim ligjor.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
/vizionplus.tv





