Bizneset e vogla dhe të mesme do të mund të marrin kredi me norma interesi 2 deri në 3 herë më të ulëta si pasojë e nismës së re të qeverisë “Dyfisho Biznesin Tënd”. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me bankat e nivelit të dytë, kryeministri Rama u shpreh se projekti do të nxisë më shumë performancën e sipërmarrjeve.
“Në fillim ishte një projekt i dedikuar vetëm për bujqësinë, por sot është kthyer në një program shumë serioz mbështetjeje për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të gjithë ata që i përkasin këtij sektori duhet ta dinë që, pasi të nënshkruhet marrëveshja, mund të fillojnë të aplikojnë në varësi të planit të biznesit”, tha Rama.
Në total do të jenë 250 milionë euro që do të ofrohen nga bankat e nivelit të dytë me kushte të favorshme, të cilat pritet të shkojnë kryesisht për teknologji dhe digjitalizim.
“Qëllimi i tij është të ndërtojë një instrument kredie me një vlerë prej 250 milionë eurosh për bizneset shqiptare, në mënyrë që të marrin kredi me norma të ulëta interesi. Është një instrument që në fillim u mendua për sektorin e bujqësisë, por tashmë të gjithë sektorët duhet të jenë pjesë e këtij instrumenti. Ky produkt do të nxisë investimet në asete”, tha Delina Ibrahimaj.
Paralelisht me këtë nismë, qeveria ka vendosur edhe një fond prej 30 milionë eurosh si garanci sovrane.
“Garancia sovrane ka një vlerë prej 30 milionë eurosh, e cila do të rritet në varësi të kërkesës. Qeveria do të mbetet e angazhuar dhe ky nuk është i vetmi mekanizëm që do të kemi për bizneset e vogla dhe të mesme. Synimi është të rrisim burimet njerëzore dhe konkurrueshmërinë”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave
Bizneset e vogla dhe të mesme zënë 99% të totalit në të gjithë vendin, duke qenë sektori që prodhon më shumë për ekonominë e vendit dhe punëson pjesën më të madhe të fuqisë punëtore.





