Bizneset e vogla dhe të mesme do të mund të marrin kredi me norma interesi 2 deri në 3 herë më të ulëta si pasojë e nismës së re të qeverisë “Dyfisho Biznesin Tënd”. Marrëveshja u nënshkrua sot mes qeverisë, Bankës Qendrore dhe përfaqësuesve të biznesit.
Endrit Yzeirajt, zëvendësministër i Financave, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, shpjegoi se fondi ofrohet nga Banka e Shqipërisë për bankat tregtare me një normë financimi prej vetëm 0.5%, me kusht që këto para të përdoren për kreditimin e bizneseve të vogla.
Lexo edhe :
Related Posts
Ai sqaroi gjithashtu se qeveria ka vendosur paralelisht një fond garancie prej 30 milionë eurosh, i cili mbështet kreditimin e bizneseve dhe ul rrezikun për bankat.
Sipas Yzeirajt, falë kësaj skeme, bizneset do të kenë mundësi të marrin kredi me interesa shumë më të ulëta se normat aktuale të tregut.
Programi pritet të mbështesë kryesisht sektorin e bujqësisë, por edhe industri të tjera me potencial për tregun europian, si manufaktura, logjistika, industria dhe shërbimet dixhitale.
Zëvendësministër i Financave bëri me dije se skema është aktualisht aktive për sektorin bujqësor, ndërsa për bizneset e tjera pritet të bëhet operative brenda dy ose tre javësh, pas miratimit të akteve përkatëse.
INTERVISTA E PLOTË:
Flitet për një shumë prej 250 milionë euro. A mund të sqarojmë shkurtimisht çfarë është kjo shumë, fonde të kujt janë, apo është një shumë indikative?
Endrit Yzeiraj: 250 milionë eurosh është një shifër që ka qenë dhe mbetet në dispozicion, e ofruar nga Banka e Shqipërisë për bankat dytësore, për të përfituar financim me një normë të ulët prej 0.5%, për aq kohë sa këto fonde përdoren më pas për të kredituar biznese mikro, të vogla dhe të mesme. Pra, nuk janë para që mund të aksesohen në mënyrë të menjëhershme nga individët, por u ofrohen bankave në mënyrë që ato t’i kreditojnë bizneset e vogla. Kjo është njëra shtyllë. Shtylla tjetër është ajo çka bën qeveria, ka vënë një fond në dispozicion, i cili aktualisht është 30 milionë euro, nëpërmjet të cilit garanton kredinë për bankat dytësore. Nëse një biznes i vogël kërkon të marrë një kredi dhe garanton projektin e tij nga ana e qeverisë, kjo i lejon bankës dytësore të përfitojë financim nga Banka Qendrore me 0.5% dhe t’ia ofrojë biznesit me një normë që varion ndërmjet 2 dhe 3%. Pra, me një normë të ulët dhe të përballueshme.
Pra, në qoftë se sot bankat e nivelit të dytë në Shqipëri japin kredi në masën midis 4 deri në 6%, me këtë lehtësim që ofroni ju, sa përfundon kufiri maksimal i kreditimit përmes kësaj linje?
Endrit Yzeiraj: Do të varet nga niveli i garancisë që ofrohet, por norma e interesit do të variojë nga 2 deri në 3%.
Cilët sektorë të ekonomisë pritet që të jenë më të interesuar për të përfituar nga kjo linjë financimi? Ku është vënë re nevoja më e madhe?
Endrit Yzeiraj: Ky program në thelb është një zgjerim i një skeme që funksionon aktualisht për sektorin bujqësor. Ky sektor do të vazhdojë të mbetet prioritar dhe do të ketë një rol që do të jetë diku te 1/3 deri në 50% e skemës. Pjesa tjetër janë biznese që ne gjykojmë se kanë potencial të lartë për t’u integruar në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian, si manufaktura, industria, prodhimet e natyrës dixhitale, logjistika dhe konsulencat. Janë biznese që do ta përdorin këtë kredi për të inovuar, për të investuar në linja të reja prodhimi, certifikime apo standardizime të reja që i lejojnë të konkurrojnë në BE. Duhet theksuar se kredia nuk mund të financojë kapital qarkullues, blerje prone apo troalli, dhe as blerje të lëndës së parë. Ajo duhet të përdoret kryesisht për investime që e bëjnë biznesin më konkurrues.
Kur do të jetë operative kjo linjë financimi?
Endrit Yzeiraj: Për sa i përket sektorit të bujqësisë, ajo ka qenë dhe mbetet operative për fermerët apo agropërpunuesit. Ndërkohë, për bizneset e tjera, ne shpresojmë që për dy-tre javësh, me miratimin e VKM-së dhe marrëveshjes së re nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe bankave dytësore, fondi do të jetë tërësisht i disponueshëm edhe për të gjithë sektorët e tjerë.
/vizionplus.tv






