Edhe këtë 1 Maj pak sindikalistë dhe qytetarë të thjeshtë dolën për të protestuar për të drejtat e tyre në punë.
Protesta, e organizuar nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, kërkoi që më shumë shqiptarë të bashkohen dhe të ngrenë zërin për problemet e shumta që i shoqërojnë në tregun e punës.
“Qëllimi i kësaj proteste është sensibilizimi. Edhe pse kjo duhet bërë gjatë gjithë vitit për hallet që kanë punëtorët në Shqipëri, Konfederata ka dashur të theksojë se 1 Maji nuk është festë, por protestë. Çdo vit përpiqemi të grumbullojmë sindikalistë dhe qytetarë të thjeshtë për të reaguar. Vetëm në Vietnam dhe Kinë festohet”, tha Kol Nikollaj, Kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Nga arsimi e deri te dalja në pension, sipas sindikalistëve, tregu i punës përballet me një sërë sfidash që ende nuk po marrin zgjidhjen e duhur.
“Punëtorët duhet të kenë një jetë dinjitoze. Problemet nisin që te arsimi, shërbimet publike, transporti urban dhe mjedisi, për të vijuar më pas te pagat, shpërblimet dhe pensionet, të cilat mbeten një sërë sfidash për qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Në protestën e zhvilluar kete te premte ndonëse me pjesëmarrje të ulët, nuk munguan të rinjtë dhe të moshuarit, të bashkuar në idenë se tregu i punës në Shqipëri ende nuk është në nivelet e duhura.
/vizionplus.tv





