Politika përballë drejtësisë dhe mënyra se si trajtohen politikanët në sallën e gjyqit, duke u mbajtur në kafaz xhami, ishin një tjetër pikë diskutimi në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Avokati Ermal Yzeiraj, i cili është edhe përfaqësues i ish-ministrit Ilir Beqaj, foli për situatën e klientit të tij, të cilit së fundmi i është lejuar të qëndrojë i lirë brenda në sallën e gjyqit.
Yzeiraj tha se ky standard duhet të jetë për çdo qytetar dhe vetëm në raste të veçanta i akuzuari duhet të izolohet në kafaz.
Sipas tij, kafazi duhet të përdoret vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me një të pandehur të rrezikshëm.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Politikanët në kafaz?
Yzeiraj: Standardi i përgjithshëm duhet të jetë për çdo qytetar; vetëm në raste përjashtimore dikush duhet të rrijë në kafaz, kur është rrezik.
Borakaj: Për vepra penale?
Yzeiraj: Jo, më shumë për cilësitë e personit. Rregulli bazë për çdo qytetar, pavarësisht çfarë background-i ke, është që ti duhet të rrish i lirë në sallë. Ne kemi të kundërtën: ti duhet të rrish në kafaz dhe vetëm nëse më bind se nuk je i rrezikshëm, duhet të rrish në sallë. Barrën e provës na e kanë lënë ne, ndërkohë që duhet ta ketë akuza.
Borakaj: A mund të kthehet në precedent rasti i zotit Beqaj?
Yzeiraj: Në rastin e zotit Beqaj ka standard të dyfishtë: për një gjyqtar është i rrezikshëm, për një tjetër jo. Shpresoj shumë që të gjithë gjyqtarët ta kthejnë në normalitet seancën. Nuk është normale që të krijohen procese të tilla, ku ne na krijohen vështirësi artificiale.





