Ish-kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Artiol Saliasi është marrë i pandehur për punësimin në AMP të Muçi Shaljanit, që mbeti viktimë në atentatin mafioz së bashku me shokun e tij Gilmando Dani më 11 nëntor te rrethrrotullimi i Rinasit.
Saliasi akuzohet nga Prokuroria e Tiranës dhe nga AMP, për shpërdorim detyre. Gjithashtu I pandehur është marrë edhe Gëzim Sala, drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse pranë AMP. Ky i fundit më herët u pezullua nga detyra, por me vendim të gjykatës së Apelit, ai është rikthyer në detyrë, por hetimet ndaj tij vijojnë.
Hetuesit kanë dyshime të forta për mënyrën sesi Muçi Shaljani u punësua në kundërshtim me ligjin brenda AMP, punësim që u bë me firmën e Artiol Saliasit dhe Gëzim Salës.
Sipas organit të hetimit, Sala ka lejuar punësimin e Muçi Shaljanit si agjent pranë AMP vetëm 6 ditë pas kërkesës që ai kishte paraqitur pranë këtij institucioni. Në shkresën e miratimit, Sala argumentonte se punësimi i Muçi Shaljanit duhej bërë me urgjencë për nevoja pune. Sipas burimeve, punësimi i tij është realizuar në dakortësi dhe me miratimin e Artion Saliasit.
Ka dyshime të forta se rekrutimi i Muçi Shaljanit në AMP, nuk ka qenë rastësor, por është bërë me qëllime të tjera që nuk kanë të bëjnë me profesionin, por për t’ju shërbyer grupeve kriminale. Edhe pse viktima njihej për kontaktet e tij me botën e krimit, kjo nuk e ka penguar që të punësohej pranë AMP. Madje dyshohet se për këtë qëllim është gjetur ekzaktësisht edhe funksioni që iu dha dhe që kishte të bënte me vëzhgimin.
Muçi Shaljani është një nga viktimat e masakrës së atentatit në Rinas. Ai u qëllua me breshëri plumbash sëbashku me shokun e tij Gilmando Dani, sapo ishin kthyer nga Spanja. Dani ishte krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe atentati ndaj tyre dyshohet se u bë për shkak të përplasjeve të bandave kriminale./vizionplus.tv





