Parlamenti u përfshi në debate për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kërkesë që ndodhet në Kuvend prej datës 16 dhjetor.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se po kryen grusht shteti duke bllokuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
“Ky Parlament çdo sekondë, çdo minutë nxin për aktin antikushtetues, për shndërrimin e mandateve të krimit në mburojë të Lubi Ballukut, në parzmore të vjedhjeve së miliarda eurove të taksave tuaja nga Ramaduro dhe Lubia e tij”, tha Berisha.
Por socialistët iu kundërpërgjigjën duke vënë në dukje se lideri i opozitës nuk mund të bëjë moral, pasi vetë po gjykohet për korrupsion.
“Të vish këtu dhe të bësh të ndershmin, të flasësh në emër të drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon para drejtësisë dhe i merr me libër shtëpia ata që të kanë ngritur ty akuzën, merr prokurorin, merr gjyqtarin.”, tha kreu i socialistëve, Taulant Balla.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po u bën presion gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Shqiptarët kërkojnë të zhbllokohet sistemi i drejtësisë. Tani keni filluar t’u çoni mesazhe ju, t’i kërcënoni. Mos kërcënoni prokurorët, as gjykatësit, sepse Edi Rama do të jetë përgjegjës për çdo akt që do kryhet ndaj tyre. Po si mor bëheni ushtarë, shërbëtorë të Lubi Ballukut?”
Më 16 dhjetor, SPAK-u i kërkoi Parlamentit t’i japë autorizim për të arrestuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si masë e dytë sigurie pas masës së parë për pezullim nga detyra.
Por kryeministri Edi Rama sqaroi se çështja e imunitetit të numrit dy të qeverisë do të shqyrtohet pasi Gjykata Kushtetuese të japë vendim për masën e parë të sigurisë, atë të pezullimit nga detyra.
/vizionplus.tv





