Prokurorët në Milano kanë nisur një hetim që lidhet me një grup në WhatsApp, ku rreth dhjetë drejtues tramvajesh dyshohet se shkëmbenin fotografi të pasagjereve të marra nga kamerat e sigurisë brenda mjeteve të transportit publik.
Hetimi përqendrohet në dyshimet për akses të paligjshëm në një sistem informatik. Sipas burimeve, të paktën një person është nën hetim, ndërsa policia ka zhvilluar disa kontrolle në kuadër të çështjes.
Ngjarja u zbulua pasi një grua, e cila po udhëtonte me tramvaj në Milano, vuri re një drejtues mjeti jashtë shërbimit, por i veshur me uniformë, duke parë në telefonin e tij një bisedë që përmbante fotografi të grave të fokusuara në pjesë të trupit të tyre, të regjistruara nga kamerat e transportit publik.
Gruaja arriti të fotografonte ekranin e telefonit, ku shfaqeshin imazhe që dyshohet se ishin marrë nga kamerat e sigurisë së tramvajeve, të shoqëruara me komente dhe shaka fyese nga anëtarët e grupit për pamjen fizike të pasagjereve.
Më pas, ajo kontaktoi një influencuese në Instagram, e cila e bëri publik rastin. Të dielën, ATM, (Azienda Trasporti Milanesi) kompania që menaxhon transportin publik në Milano, njoftoi se kishte nisur një hetim të brendshëm.
“ATM veproi menjëherë dhe me kujdes maksimal për të sqaruar plotësisht ngjarjen, për të verifikuar përdorimin korrekt të mjeteve të kompanisë, për të mbrojtur klientët dhe mijëra punonjësit që kryejnë detyrën e tyre me korrektësi çdo ditë në shërbim të qytetit”, thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë.
Kamerat e sigurisë në transportin publik janë instaluar për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe stafit, ndërsa hetimet do të përcaktojnë nëse ato janë përdorur në mënyrë të paligjshme dhe në shkelje të privatësisë së qytetarëve.
/vizionplus.tv





