Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi zyrtarisht Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri.
Kandidatura e Wendt u miratua me 51 vota pro dhe 47 kundër, pasi më herët ai mori edhe miratimin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Drita jeshila nga Senati, i jep tashmë Wendt zyrtarisht detyrën si diplomat i SHBA në Tiranë. Ai pason Yuri Kim, në drejtimin e misionit diplomatik amerikan.
Eric Wendt vjen në Shqipëri me një eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, pasi ka shërbyer për dekada në strukturat ushtarake dhe të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
Në prezantimin e bërë pas shpalljes së kandidaturës, më herët, Wendt shpalli prioritetet në të cilat do të bazohet gjatë detyrës së tij në Tiranë, ku fokusi do të jetë tek lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
“Mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do t’i bëjnë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se do të punojë për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e zotimeve të saj në kuadër të NATO-s, përfshirë dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Tashmë pritet që Wendt të bëjë betimin i ambassador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri për të mbërritur më pas në Tiranë.
Konfirmimi i tij nga Senati konsiderohet një hap i rëndësishëm për vijimin e marrëdhënieve të ngushta mes Uashingtonit dhe Tiranës, në një periudhë kur bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve mbetet një element kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor.




