Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë me gazetarët, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po bllokon veprimet e SPAK-ut ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Presion i jashtëzakonshëm bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese. Pra, Edi Rama, për të mbrojtur veten e tij, krimet e tij, po shkon drejt grushtit të shtetit, asgjësimit de facto të drejtësisë në Shqipëri. Duke dënuar me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, i kërkoj atij dorëheqjen dhe largimin e tij nga posti i kryeministrit.”
Berisha denoncoi ngritjen e parkut teknologjik me emrin “Durana”, një çështje që fillimisht u denoncua nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet prej më shumë se dy vitesh në arrati. Sipas Berishës, ky park u krijua për të favorizuar kompani me lidhje pranë kryeministrit, që të mos paguajnë taksa, edhe pse sot, në këtë zonë nuk është vendosur asnjë biznes. Berisha lajmëroi se PD do ta çojë këtë dosje në SPAK.
“Padiskutim që do dërgojmë. Do dërgojmë çdo dokument, do dërgojmë padi. Ne kemi dërguar, pavarësisht se për një kohë të gjatë Dumani i ka konservuar ato dhe ka bërë çdo gjë që ato të mos përfillen. Por paditë tona janë absolutisht të bazuara katërcipërisht në ligj dhe të pakundërshtueshme. Ne do t’i dërgojmë.”
Nga ana tjetër, Berisha hodhi poshtë zërat se ndaj tij ka një hetim të ri pasurie. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha deklaroi se hetimi i pasurisë ndaj tij ka përfunduar bashkë me dosjen “Partizani”.
“Hetimi pasuror i Sali Berishës dhe fëmijëve të tij është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar me kohë në gjykatë. Është një hetim i mirëfilltë politik për Kuvendin e Rithemelimit, për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje. Unë kam thënë dhe them, prokuroria duhet të jetë e lirë dhe ne qëndrojmë të hapur për çdo lloj hetimi.”
SPAK-u deri më tani ka thirrur disa figura të Partisë Demokratike, të cilët i ka pyetur në lidhje me organizimin e Kuvendit të 11 dhjetorit.
/vizionplus.tv





