Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dënuar me forcë pamjet e publikuara nga ministri izraelit Itamar Ben-Gvir, ku shfaqen aktivistët e flotiljes humanitare “Sumud”.
Në reagimin e tij, Hoxha e ka cilësuar trajtimin e aktivistëve si të papranueshëm dhe poshtërues, duke theksuar se të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut, ligjin ndërkombëtar dhe atë humanitar.
“Imazhet e publikuara nga ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme. Të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar. Kam udhëzuar ambasadën tonë në Tel Aviv që të mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me autoritetet izraelite në mënyrë që të sigurohet që qytetarit tonë t’i ofrohet ndihma e duhur konsullore, sipas nevojës dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar,” thuhet në reagim.
Hoxha shtoi se ka udhëzuar ambasadën shqiptare në Tel Aviv që të mbetet në kontakt të vazhdueshëm dhe në koordinim të ngushtë me autoritetet izraelite, me qëllim garantimin e ndihmës së nevojshme konsullore për qytetarin shqiptar, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Forcat izraelite ndaluan me 18 maj aktivistin shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhej në bordin e flotiljes humanitare “Global Sumud”, një mision ndërkombëtar i nisur drejt Gazës me qëllim dërgimin e ndihmave për popullsinë civile të prekur nga lufta.
Flotilja ishte nisur nga zona e Marmarisit në Turqi dhe përbëhej nga 54 anije me rreth 426 aktivistë nga 39 vende të botës. Sipas organizatorëve, misioni kishte për synim të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën e rëndë humanitare në Gaza dhe të dërgonte ndihma për civilët e mbetur nën bllokadë. Mes personave të ndaluar ndodhej edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj.





