Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e thirrur në një Interpelancë nga deputeti demokrat Saimir Korreshi theksoi se shëndetësia nuk mund të përdoret si një mjet propagande nga opozita për “kreditë politike”.
Deputeti ngriti shqetësime të forta në Kuvend lidhur me gjendjen në spitalin e Lushnjës. Ai tha se në kuzhinë punon personel i papërshtatshëm dhe se struktura e spitalit është zhvendosur në kushte të papërshtatshme për pacientët.
“Po Lushnjë të hanë minjtë nga këmbët nga sytë. S’ka asgjë. është kafshëri, është vatër infeksioni. Kujt i tregoni ju. Keni të bëni me jetë njerëzish. Kjo është çmenduri”, tha Korreshi.
Ministrja theksoi se “Qytetarët kanë nevojë për të vërtetën, jo për alarm politik të fabrikuar.“
“Sepse ka deputetë që sa shohin një skelë ndërtimi, shpallin katastrofë kombëtare. Ne ndryshe nga folklori i alarmit, zgjedhim punën dhe investimin“, tha ajo.
Ministrja u shpreh se Spitali i Lushnjes është pjesë e një programi investimesh të infrastrukturës spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sala u shpreh se problematikat në spital nuk janë krijuar së fundmi, por janë trashëgimi e mungesës së investimeve ndër vite. Ajo bëri me dije se investimi për rikonstruksionin ka nisur zyrtarisht në mars. Për këtë vit, janë planifikuar rreth 82 milionë lekë, ndërsa për 2027 parashikohen edhe 236 milionë të tjera.
“Spitali Bashkiak Lushnjë mbulon mbi 63 mijë banorë dhe funksionon në godina të ndërtuara para viteve ’90, të cilat për dekada kanë pasur amortizim të konsiderueshëm infrastrukturor dhe teknik. Kjo nuk është një problematikë e krijuar sot. Është një trashëgimi shumëvjeçare, që për vite me radhë nuk mori investimet e nevojshme.
Pikërisht për këtë arsye, Spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Investimi ka nisur gjatë vitit 2026 dhe punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Fondi i planifikuar për këtë vit është rreth 82 milion lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera.
Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse, me synim përmirësimin e kushteve për nënat, të porsalindurit dhe pacientët në tërësi.
Ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është një rikonstruksion i plotë infrastrukturor, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese“, tha ministrja.
Sala bëri me dije se paralelisht po vijojnë punimet në spitalet e Beratit, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës dhe Vlorës, në godinën e Spitalit Psikiatrik Elbasan, në godinën Back-Up të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, si dhe në shërbimin Djegie-Plastikë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërsa brenda këtij viti viti pritet të nisë puna për godinën e re të Spitalit të Korçës, për rikonstruksionin e urgjencës së Spitalit të Durrësit dhe për Spitalin e Hasit.
“Në këtë kuadër, krahas investimeve infrastrukturore, janë parashikuar fonde për modernizimin e pajisjeve mjekësore, forcimin e kapaciteteve diagnostikuese, përmirësimin e rrjeteve teknike, rinovimin e flotës së autoambulancave dhe përmirësimin e kushteve në qendrat shëndetësore dhe spitalet rajonale e bashkiake. Duke qëndruar te spitalet bashkiake, siç është ai i Lushnjes, dua të theksoj se spitali vijon normalisht aktivitetin dhe përballon një volum të konsiderueshëm pune.
Krahasuar me ritmin mesatar të aktivitetit gjatë vitit 2025, të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë se:
- Janë trajtuar 1,727 pacientë të shtruar, ose rreth 26% e totalit të vitit 2025 vetëm në tre muajt e parë, duke reflektuar një ritëm të qëndrueshëm të hospitalizimeve.
- Janë realizuar 86 ndërhyrje kirurgjikale, që përbëjnë rreth 16% të totalit të vitit 2025,
- Janë përballuar 15,553 urgjenca, ose afro 31% e totalit të urgjencave të vitit 2025, çka tregon një rritje me rreth 24% të ritmit të punës në rastet urgjente krahasuar me të njëjtën mesatare periodike.
- Janë kryer 14,076 konsulta ambulatore, ose rreth 24% e totalit të vitit 2025, duke ruajtur pothuajse të njëjtin nivel aktiviteti me vitin paraardhës.
- Janë realizuar 39,739 ekzaminime laboratorike, radiologjike dhe endoskopike, ose mbi 25% e totalit vjetor 2025 vetëm në tremujorin e parë, duke reflektuar një trend në rritje të kërkesës për shërbime diagnostikuese.
Këto nuk janë shifra të një spitali të braktisur por të një strukture që funksionon, që mban peshën e shërbimit për qytetarët dhe që stafi i kësaj strukture spitalore meriton mbështetje, jo baltosje politike”.
Ajo u ndal edhe te akuzat për mungesë barnash, duke theksuar se spitali e menaxhuar situatën në kohë reale dhe pacientët kanë marrë mjekimin e nevojshëm.
“Furnizimi me barna realizohet përmes kontratave aktive dhe marrëveshjeve kuadër, ndërsa për periudhën 2026–2028 është planifikuar zgjerimi i mëtejshëm i kontratave për medikamentet spitalore.
Sa i takon shërbimittë dializës, kërkuar nga deputeti, aktualisht janë 51 pacientë nga Lushnja që marrin shërbim dialize:
- 34 pacientë në Fier;
- 12 në Durrës;
- 3 në QSUNT;
- dhe 2 në Berat.
Ndërkohë, sipas kuadrit ligjor dhe saktësisht sipas urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë nr. 469, datë 30.08.2010 “Për sigurimin e transportit për të sëmurët që trajtohen me dializë”, i ndryshuar, spitali i Lushnjës mbulon pagesën e transportit për pacientët e dializës, në mbështetje të paketave shëndetësore të miratuara nga FSDKSH, me qëllim garantimin e aksesit të pacientëve në trajtim”, përfundoi Sala.





