Në Tiranë u mbajt për herë të parë Konferenca e 63-të e Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore. Delegacione nga 42 vende të Europës, u mirëpriten në Shqipëri nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Drejtuesja e këtij institucioni Armela Krasniqi, shpjegoi fokusin e punimeve që mbahen në kryeqytet.
“Gjatë dy ditëve do të diskutohen sfidat me të cilat përballet sot mjedisi mediatik, por edhe entet rregullatore. EPRA është një forum i hapur, jo politik dhe neutral në operacione, anëtarët duhet të ruajnë të njëjtat vlera dhe neutralitetin institucional”, tha Krasniqi.
Krasniqi bëri me dije gjithashtu edhe hapat e ndërmarra në raste të shkeljeve.
“Në momentin që evidentohen shkelje të rregullave apo censurës nga televizionet apo radiot, ne fillimisht dërgojmë tërheqje vëmendje dhe më pas nëse ka përsëritje vijohet me gjoba. Gjatë 5 viteve janë marrë vendime për 38 gjoba për shkelje të përmbajtjes dhe 44 gjoba për pirateri televizive, me një vlerë totale mbi 80 milionë lekë”, deklaroi Krasniqi.
Pjesë në mbledhjen e 63 të EPRA-s ishin dhe Këshilli i Evropës, Observatori Evropian Audiovizual si dhe Zyra e përfaqësuesve të OSCE për Lirinë e Medias.





