Ilir Beqaj pasi fitoi betejën me Gjykatën për të dalë nga kafazi i qelqtë, e bëri mbrojtjen për dosjen e Sterilizimit nga poltroni i Gjykatës së Posaçme.
Për këtë çështje Beqaj akuzohet se, në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë, ka kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, lidhur me kontratën koncesionare me vlerë mbi 100 milionë euro.
Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeirajt, Ilir Beqaj kërkoi pushimin e çështjes ose pezullimin e saj dhe dërgimin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Ndër argumentet kryesore të avokatit është ai i pengesës financiare për mbrojtje efektive, por edhe në volumin shumë të madh të dosjes.
Sterilizimi është paditur nga “Nisma Thurje”, entitet për të cilin Ilir Beqaj ka gjithashtu rezerva.
Kallëzimi i paraqitur nga kjo parti nuk identifikon një autor dhe nuk jep rrethana specifike, por ngre disa pikëpyetje, pretendon avokati i tij. Ndërkaq edhe SPAK, thotë mbrojtja, nuk ka kryer verifikime duke cënuar sigurinë juridike.
Edhe më herët, Beqaj ka mohuar akuzat, duke deklaruar se sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale ishte i nevojshëm. Sipas tij, kontrata koncesionare uli infeksionet spitalore, modernizoi instrumentet kirurgjikale dhe siguroi punësimin e rreth 250 personave.





