Socialistët dhe demokratët kanë gjetur gjuhën e kompromisit për rregullat e punës së komisioneve dhe seancës plenare.
Të dy palët kanë miratuar me konsensus 34 ndryshime në rregulloren e kuvendit, që prekin disa elementë të rëndësishëm nga procesi i negociatave me Bashkimin Europian te raportimi i institucioneve të pavarura.
Negociatat zgjatën 4 ditë dhe të dy palët, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bënë disa lëshime nga propozimet e tyre fillestare.
Në lidhje me propozimin e socialistëve që institucionet e pavarura të mos raportojnë më në seancë plenare, por vetëm në komisione, është gjetur si formulë kompromisi që para parlamentit të raportojnë vetëm ato institucione që e kanë detyrim shprehimisht në Kushtetutë.
Sipas këtij kompromisi drejtuesi i SPAK-ut nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin e Mbikëqyrjes Institucionale. Njësoj si SPAK janë një sërë institucionesh që do raportojnë vetëm në komisione.
Ndërsa në seancë plenare do të raportojnë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë , Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit.
Në lidhje me procesin e negociatave për anëtarësimin në BE, demokratët kanë pranuar propozimin e PS që ligjet e nevojshme për integrimin të kalojnë me procedurë të përshpejtuar vetëm kur ka një afat konkret nga Brukseli.
Socialistët janë tërhequr nga propozimi i tyre që fjala e deputetëve të shkurtohet në 5 minuta, duke e lënë kohën e fjalimeve 10 minuta siç është sot.
Socialistët kanë pranuar propozimin e demokratëve që Sekretariati i Etikës të ketë barazi anëtarësh mes mazhorancës dhe opozitës. Por duke qenë se kjo është struktura që merr vendime për përjashtimin e deputetëve, vota e sekretarit i cili i përket PS, përcakton rezultatin që të mos bllokohet vendimmarrja.
Socialistët kanë refuzuar propozimin e PD që të ndahet Komisioni i Jashtëm nga Komisioni i Integrimit dhe përfundimisht parlamenti do të ruajë ndarjen aktuale me 11 komisione të përhershme. Në lidhje me kompetencat e komisionit për mbikëqyrjen institucionale ,ku debati ishte më i fortë mes vetë socialistëve, është vendosur që institucionet e pavarura raportimet vjetore t’i bëjnë tek komisioni përgjegjës edhe tek komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj do të raportojnë për zbatimin e rezolutës.
Ndryshimet në rregulloren e kuvendit janë të detyrueshme pas Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndërhyrjen që socialistët bënë në shtatorin e vitit të kaluar dhe ngritjen e 11 komisioneve të përhershme. Gjykata i la 30 ditë kohë kuvendit të miratojë ndryshimet, afat ky që përfundon sot.





