E mërkurë, 28 Tetor 2026 Fat i Hidhur deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

“Kam fëmijën 12-vjeç, ka nevojë për mua”, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt kundërshton paraburgimin

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor, ka kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit të vendosur ndaj tij nga Gjykata Themelore në Pejë.

Gjatë seancës dëgjimore, Sylaj ka kërkuar të lirohet, duke vënë në dukje se ka një djalë 12-vjeçar për të cilin, sipas tij, duhet të kujdeset.

Reklamë

“Kam fëmijën 12-vjeçar që tani s’di ku është, ka nevojë për kujdesin tim”, ka deklaruar ai para gjykatës.

Ai është shprehur gjithashtu i keqardhur për vrasjen e ish-bashkëshortes, duke pretenduar se ishte përpjekur që ngjarja të mos ndodhte.

Reklamë

“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, ka thënë Sylaj.

Megjithatë, rasti është shoqëruar me dëshmi shqetësuese të bëra publike, të cilat Arlinda Zekaj i kishte dhënë në Polici pak kohë para se të vritej. Ajo kishte raportuar kërcënime nga ish-bashkëshorti, duke deklaruar se ai i kishte thënë: “Unë të thej, të mbys”.

Në dëshminë e saj, Zekaj kishte ngritur edhe shqetësimin për reagimin e institucioneve ndaj kërcënimeve, duke pyetur efektivët e Policisë: “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?”

Sipas Prokurorisë, ndaj Jeton Sylajt figurojnë gjashtë raste penale të hapura, katër prej tyre të regjistruara gjatë vitit 2026. Organi i akuzës ka argumentuar se lënia e tij në liri mund të krijojë rrezik arratisjeje.

Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet për ushtrim të dhunës fizike ndaj viktimës dhe ka kërkuar që ndaj tij të caktohet një masë më e butë sigurie.

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur paraburgimin ndaj Sylajt, i cili dyshohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Ndërkohë, lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, i dyshuari është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ngjarja e rëndë ka ngritur sërish pikëpyetje mbi reagimin e institucioneve dhe efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes për gratë që denoncojnë kërcënime dhe kërkojnë ndihmë nga autoritetet.

Të gjithë personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.