E mërkurë, 28 Tetor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 1 orë më parë
Ekonomi

“Buxheti më kaotik dhe rëndues”, Tabaku zbulon si do të ndikojë paketa fiskale te çmimet dhe bizneset

 Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikon paketën fiskale dhe projektbuxhetin e qeverisë, duke i cilësuar ato si rënduese për shtresën e mesme, bizneset dhe profesionistët e lirë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderatorë Aleksandër Furxhi, Tabaku argumenton se rritja e TVSH-së së përgjithshme në 21%, pavarësisht uljes së saj për ushqimet në 6%, rrezikon të sjellë rritje të çmimeve dhe të shtojë barrën mbi konsumatorët.

Reklamë

Ajo ngre shqetësime edhe për përfshirjen e më shumë bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së, duke paralajmëruar për pasoja në aktivitetin e tyre ekonomik.

Sipas Tabakut, buxheti nuk ofron një vizion të qartë për ekonominë dhe nuk krijon nxitje për investimet, eksportet dhe zhvillimin e sipërmarrjes.

Reklamë

INTERVISTA E PLOTË:

Cila është sipas jush pika më e kritikueshme e kësaj pakete?

Jorida Tabaku: Në fakt, arsyet ekonomike janë arsyet pse këta qytetarë kanë 150 ditë deri në fillim të tetorit dhe tashmë dy javë duke protestuar, sepse në fund të ditës çdo gjë shkon te buxheti, shkon te korrupsioni. Për mua buxheti ka dy anë: rritja e taksave që vjen në mënyrë masive tek konsumi me rritjen e TVSH-së në 21%, por njëkohësisht edhe tek biznesi me rritjen e dividendit, dhe nga ana tjetër është edhe ku shkojnë këto para, ku janë shpenzimet. Ndërkohë që flasim, pothuajse gjysma e koncesioneve të partneritetit publik-privat janë kontrata të cilat janë nën hetim për korrupsion, ndërkohë që investimet publike janë zbatuar vetëm 36%. Unë duke parë këtë buxhet nuk arrij dot të kuptoj se cili është vizioni i qeverisë. Në një moment kur zhvlerësimi i euros me 30% ka fundosur prodhimin, në një moment ku nuk je duke eksportuar asgjë, në një moment kur bujqësia ka të paktën gjashtë vite që është në rënie në disa prej tremujorëve, ky buxhet nuk jep jo vetëm vizion ekonomik, por nuk jep frymë për sipërmarrjen. Ndërkohë që elementi i tretë për mua është përsëri një rëndesë mbi shpinën e shtresës së mesme, sepse bizneset e vogla do t’u ulet xhiroja deri në 5 milionë lekë dhe kjo do të përfshijë në TVSH një sërë biznesesh që do të neutralizojë të gjithë atë efektin pozitiv që mund të kishte shporta e ushqimeve dhe ulja e TVSH-së te shporta nga njëra anë, dhe nga ana tjetër do t’i sjellë mbylljen masive të këtyre dyqaneve, ashtu siç ndodhi pak vite më parë kur qeveria prezantoi të njëjtën masë të TVSH-së. Kjo do të sjellë përqendrimin në rrjetet më të mëdha të supermarketeve duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e transportit të këtyre produkteve, por njëkohësisht duke komanduar edhe shitjen e tyre në pak supermarkete. Kjo do të sjellë një rritje të përgjithshme të çmimeve, do të jetë një pengesë e barrë mbi biznesin dhe do të krijojë njëkohësisht një frymë kundër investimeve, kundër eksporteve dhe kundër zgjerimit të bizneseve.

Me shpjegimin tuaj thatë që çmimet do të rriten me ndikimin që do të ketë. Ndërkohë që ju e dini, qeveria thotë që po rritim TVSH-në e përgjithshme me 1% (21%) për të shpërndarë, sipas qeverisë, në mënyrë të ndershme barrën ose atë peshë që do të dalë nga arka e shtetit përmes uljes së TVSH-së në 6%[3]. Sigurisht që jeni kritik, po përse nuk e besoni këtë arsyetim të qeverisë?

Jorida Tabaku: Fjala “e ndershme” dhe Edi Rama nuk ecin bashkë në asnjë vend, sepse në qoftë se ka diçka sot që është provuar, është pandershmëria e sistemit të taksave, pandershmëria e përdorimit të buxhetit dhe korrupsioni i qeverisë. Në qoftë se ka një politikë që ka qenë e qëndrueshme në vite, ka qenë rritja e taksave dhe shtimi i barrës së taksave mbi shtresën e mesme. Së dyti, është propozuar që të ulet TVSH-ja e ushqimeve në 6%. Për sa vite e kemi propozuar ne këtë ulje? Gjithë vendet e BE-së e kanë pasur 6%, ne e kishim 20%. Qeveria thoshte se nuk do të ketë impakt edhe po të ulet në 6%. Tani pse e ndryshuan mendjen brenda natës? Së treti, do të rritet TVSH-ja në 21%, gjë që do të prekë të njëjtët persona që prek ulja e TVSH-së në 6%. Do të kemi një rritje te karburanti, te makina, do të reflektohet te energjia, te transporti, te çmimi i banesave e kështu me radhë. Unë e shoh këtë si një paketë jo vetëm kaotike, pa asnjë filozofi e vizion. Nën presionin e protestave janë duke ulur këtë TVSH-në. Ndërkohë rritet TVSH-ja nga 6% në 10% në turizëm për hotelet me pesë yje e investitorët strategjikë, ndërkohë që i gjithë turizmi në masë paguan 20% e tani do të paguajë 21% nga janari i vitit të ardhshëm. Është buxheti më kaotik, më rëndues mbi shtresën e mesme dhe mbi profesionistët e lirë.

Në qoftë se dikush ju thotë që një qeveri e majtë veçse kështu do ta shpërndante buxhetin dhe barrën fiskale, ja marrim të pasurve për t’ua dhënë më të varfërve, dhe një qeveri e djathtë do ta shpërndante ndryshe këtë paketë, ju si do të përgjigjeshit?

Jorida Tabaku: Kjo qeveri nuk ka asnjë lidhje as me filozofi ekonomike, as të majta, as të djathta; këto janë vetëm të korruptuar. Nuk ka këtu shpërndarje “i marrim të pasurve e t’ua japim të varfërve”, sepse të varfërit sot janë akoma dhe më të varfër. Me këtë buxhet vazhdon e thellohet pabarazia. Mosha 18 deri në 35 vjeç në Shqipëri ka të ardhurat për frymë 5,700 € më të ulëta në të gjithë rajonin dhe në BE. Shporta e ushqimeve është rritur nga 20,000 lekë para 10 vitesh në 45,000 lekë tani. Sot Shqipëria ka buxhetin më të vogël social në gjithë rajonin, ka numrin më të madh të të varfërve dhe masën më të madhe të personave që jetojnë nën minimumin jetik.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.