Kryedemokrati Sali Berisha, në konferencën e fundit për këtë vit para gazetarëve, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se viti i ardhshëm do të jetë i furishëm.
Berisha tha se zemërimi i shqiptarëve do të jetë mjaft i fortë dhe do të bjerë mbi qeverinë dhe kryeministrin, ndërsa vijoi me akuzat ndaj mazhorancës.
“Pra, zhvillimet e muajve të fundit, 11 maji dhe zhvillimet në vazhdim, provuan para çdo shqiptari se Edi Rama ka zero legjitimitet në postin e tij. Se ai është një kriminel, një delinkuent që e ka vendin në bankën e të akuzuarit, para drejtësisë. Se ai po kryen krimin e shëmtuar, jo vetëm të vjedhjes së qindra e qindra milionëve, në mos miliarda, siç është afera e Portit të Durrësit, por tani u thotë shqiptarëve se do t’u vjedhë se drejtësia nuk ekziston. Çka përbën një kushtim të madh për çdo shqiptar. Unë i them Edi Ramës: prite zemërimin popullor. Të garantoj se shumë shpejt do të bjerë mbi ty. Duke përfunduar, u uroj ju gëzuar Vitin e Ri. U uroj qytetarëve shqiptarë këtë vit dhe të fillojmë vitin tjetër me forcë, energji dhe guxim për të çliruar veten tonë, qytetarët shqiptarë, Shqipërinë, nga ky regjim, më i rrezikshmi sot në Europë, ndër më të rrezikshmit në botë”, tha Berisha.





