Shtatë vende anëtare të Bashkimit Europian i kanë kërkuar unionit përshpejtimin e procesit të zgjerimit.

Ministrat e jashtëm të Italisë, Greqisë, Austrisë, Republikës Çeke, Kroacisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë i kanë dërguar një letër të përbashkët presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentes së komisionit europian Ursula Von der Leyen dhe kryeparlamentares Roberta Metsola.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur Këshilli miratoi Deklaratën e Selanikut. Ka ardhur koha për përparim vendimtar në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Një kohë e qartë dhe e arsyeshme për pranimin e tyre është më urgjente se kurrë”,  thuhet në letër.

Po ashtu në letër kërkohet angazhim personal i liderëve të BE për të finalizuar negociatat ndërinstitucionale për Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

“Koha është thelbësore. Çdo vonesë do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe do të ketë një ndikim negativ në procesin e integrimit evropian të rajonit”, thuhet më tej.

Ajo cfarë bie në sy është që mes 7 vendeve që bëjnë kërkesë për përshpejtim të zgjerimit është edhe firma e ministrit grek George Gerapetritis.

Në muajin dhjetor Greqia përdori veton për të bllokuar negociatat e vendit tonë për anëtarësimin në BE për shkak të çështjes Beleri.

Ndërkohë një ditë më parë edhe parlamenti europian miratoi një rezolutë e cila kërkonte që procesi i zgjerimit të bëhet më efikas si dhe heqjen e vetos bllokuese nga vendet anëtare. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *