Pakistani ka hedhur poshtë mundësinë e përgjigjes ushtarake ndaj vendimit të Indisë për t’i hequr statusin special rajonit të Kashmirit, pavarësisht tensioneve në mes të të dyja shteteve.

 

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi, është shprehur se ata janë duke shqyrtuar mundësitë politike, diplomatike dhe ato ligjore. Nuk jemi duke u fokusuar tani në përgjigje ushtarake.

 

Pjesa e Kashmirit e banuar me shumicë myslimane, që administrohet nga India, vazhdon të jetë e ruajtur nga forca të shtuara ushtarake, pasi Nju Delhi ka anuluar statusin special, që ka pasur ky vend.

 

Linjat telefonike dhe shërbimet e internetit, po ashtu vazhdojnë të mbeten të bllokuara në Kashmir, me qëllim të parandalimit të trazirave. Për Kashmirin kanë pretendime si India ashtu edhe Pakistani, derisa rebelët e pozicionuar nën administratën indiane kanë kryer kryengritje për dekada.

 

Kashmiri është ndarë në mes të Indisë dhe Pakistanit prej përfundimit të rendit britanik më 1947. Njoftimet e Qureshit kanë ardhur teksa Islamabadi ka bërë të ditur lajmin për pezullimin e një shërbimi kyç të trenave me Indinë, për shkak të rastit të Kashmirit.

 

Ministri federal për Hekurudha, Rashid Ahmad, ka thënë se shërbimi i trenave i ashtuquajtur, Miqësia e Shpejtë, do të pezullohet nga 8 gushti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *