Subscribe

Shqipëria dhe Italia finalizuan këtë të martë një nga marrëveshjet më të rëndësishme ekonomike, që është njohja reciproke e sigurimeve shoqërore. Marrëveshja u nënshkrua në Romë nga ministri  i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani dhe homologu i tij Italian Antonio Tajani. Dy ministrat thanë se ky finalizim vjen pas më shumë se një dekadë negociatash mes dy vendeve.

“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kishte rreth 15 vite që prisnim këtë firmë, firmë të cilën e formalizuam sot. Ajo garanton të drejtat e punonjësve shqiptar në Itali dhe atyre Italian në Shqipëri. Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektive për të ardhmen”,-tha ministri italianTajani.

Lexo edhe :

Related Posts

Është një moment shumë i rëndësishëm si për shtetasit shqiptar që punojnë në Itali dhe atyre italianë që punojnë në Shqipëri. Janë 15 vite përpjekje që sapo e finalizuam.  Jam shumë i gëzuar që jam unë personi që e firmos këtë marrëveshje, por edhe për gjithë bashkëpunimin që kemi patur me ministrinë e Jashtme të Italisë si dhe për kolegët që kanë kontribuar për realizimin e saj. I uroj gjithë të mirat të gjithë atyre që përfitojnë nga kjo marrëveshje”,- tha ministri Igli Hasani.

Finalizimi i kësaj marrëveshje sjell përfitime konkrete për 550 mijë shqiptar që kanë punuar në Itali si dhe për 20 mijë italianë që punojnë në Shqipëri. Vitet e tyre të punës do të bashkohen nga të dy vendet për efekt pensioni. Por çfarë mbulon kjo marrëveshje?

Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me: Sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar (pasjetuesit);  Sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen; Sigurimin e papunësisë –sqaroi Olta Manjani zv/ministre e ekonomisë.

Pas nënshkrimit, marrëveshja do të ratifikohet në parlamentet përkatëse. Ndërsa do të ketë dhe një marrëveshje administrative për të orientuar qytetarët mbi rrugën që do të duhet të ndjekin.

Çdo përfitues do të aplikojë në zyrat përkatëse të sigurimeve shoqërore në Itali dhe Shqipëri. Bashkimi i viteve të punës do të bëhet nëpërmjet shërbimeve digjitale pa qenë e nevojshme të jenë fizikisht, pasi do të ketë shkëmbim informatik të shërbimeve-sqaroi Manjani

Qeveria shqiptare ka në fuqi 12 marrëveshje reciproke për njohje pensioni me shtete si, Turqi, Belgjikë, Hungari, Ceki, Gjermani, Kanada, Zvicër etj. Ndërkohë janë në proces negociatash edhe me 7 shtete të tjera europiane dhe rajonale./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *