Fatmir Berishta investitor  i një bujtine në Theth, gjatë një interviste për emisionin E-ZONE i bën thirrje emigrantëve, të kthehen në vend dhe të investojnë në turizëm. Sipas tij ky sektor ka një zhvillim të vrullshëm dhe është me leverdi. Kjo thirrje vjen në një moment kur qeveria po bën gati një nisëm ligjore që njihet me e emrin “Paketa e Maleve”. Synimi është të stimulohen me fonde dhe jo vetëm ata që kanë tokën e tyre për të investuar në zonat turistike malore.

“Sot Thethi është plot me turistë. Edhe pse jemi në muajin Maj duket sikur jemi në pikun e sezonit, si në muajt korrik-gusht. Kush kërkon punë e gjen atë në Theth dhe jo vetëm. Ndaj nëse kjo paketë që ka premtuar qeveria do të realizohet do të ishte një nga mbështetjet më të mëdha për të rikthyer shqiptarët që kanë emigruar në fshatrat malore”, tha Berishta në E-ZONE

Zonat turistike malore e kanë edhe më shqetësuese mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit të shqiptarëve nga zona rurale.

“Unë i bëj thirrje çdo shqiptari që të vij dhe të investojë në vendin e tij. Të bëhet pronar dhe të punësojë bashkëkombasit e vet, sesa të jetë punëtor në një vend të huaj. Kostot në çdo vend europian nuk garantojnë një cilësi të lartë jetese”, tha ai.

Pjesë e “Paketës së maleve” është premtimi që zonat rurale të marrin certifikatën e pronësisë, kryesisht në Theth, një element ky që frenon investimet. Qeveria ka premtuar se do t’i japë titujt e pronësisë deri në muaji Qershor. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *