Policia e Tiranës ka finalizuar në 24 orët e fundit dy operacione për zbardhjen e gjashtë rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, duke vënë në pranga dy persona.
Në kuadër të operacionit “HIJA”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan 23-vjeçarin K. M., i cili dyshohet se gjatë periudhës 14-22 gusht ka vjedhur para dhe produkte në pesë subjekte të ndryshme. Nga verifikimet rezultoi se i riu ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë arrestimit, në sheshin “Skënderbej”, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “REACTION”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan 31-vjeçarin Sh. J., i dyshuar për vjedhjen me dhunë të dy varëseve një shtetaseje në rrugën e “Saraçëve”. Dy varëset e dyshuara të vjedhura u sekuestruan si prova materiale.
Sipas policisë, dy operacionet u finalizuan pas veprimeve të menjëhershme hetimore, të ndërmarra pas kallëzimeve dhe informacioneve të marra për rastet e vjedhjeve. Në total, hetimet kanë çuar në zbardhjen e gjashtë rasteve dhe arrestimin e dy personave të dyshuar.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohen në 24 orët e fundit, dy operacione për zbardhjen e rasteve të vjedhjes.
✅Operacioni “HIJA”/Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kreu vjedhje në 5 subjekte gjatë javës së fundit, vihet në pranga 23-vjeçari.
✅Operacioni “REACTION”/Vodhi me dhunë 2 varëse një shtetaseje, vihet në pranga 31-vjeçari.
Sekuestrohen 2 varëset e vjedhura dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera menjëherë pas kallëzimeve dhe marrjes së informacioneve për raste të vjedhjes së pronës/pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 4, në 24 orë, finalizuan 2 operacione për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të 6 rasteve të vjedhjes. Konkretisht:
-Në kuadër të operacionit të koduar “HIJA”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe vunë në pranga shtetasin K. M., 23 vjeç, i cili dyshohet se gjatë periudhës 14.08.2026–22.08.2026, ka vjedhur para dhe produkte në 5 subjekte. Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë kapjes së tij, në sheshin “Skënderbej”, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
-Në kuadër të operacionit të koduar “REACTION”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe vunë në pranga shtetasin Sh. J., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka vjedhur me dhunë 2 varëse një shtetaseje, në rrugën e “Saraçëve”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 varëset e vjedhura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





