Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së dielës, 23 gusht, Nea Smyrni të Athinës, ku një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare u gjetën të pajetë në hyrje të një pallati, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake të hetimit, burri dyshohet se i kishte zënë pritë gruas 45-vjeçare në rrugën Grigoriou Kydonion, nr. 3. Pas një përplasjeje mes tyre, ai dyshohet se e ka qëlluar disa herë, duke i shkaktuar vdekjen, dhe më pas ka drejtuar armën ndaj vetes.
Gruaja kishte plagë nga të shtënat në trup dhe, sipas të dhënave fillestare, edhe në fytyrë. Burri u gjet me një plagë në kokë. Revolveri u gjet pranë trupit të tij, çka përforcon skenarin e hetuesve se pas vrasjes së 45-vjeçares, ai ka kryer vetëvrasje.
Në pallatin ku ndodhi ngjarja jeton edhe vajza e 45-vjeçares. Ky detaj po shqyrtohet nga policia si pjesë e hetimit për të rindërtuar lëvizjet e gruas dhe për të kuptuar rrethanat që i paraprinë krimit.
Deri tani, nuk ka të dhëna që dy viktimat të kenë qenë të martuar. Autoritetet po hetojnë marrëdhënien që ekzistonte mes tyre dhe motivin e mundshëm të krimit.
Ngjarja është marrë në hetim nga Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar (DAOE), ndërsa policia po mbledh prova dhe po merr dëshmi nga persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Një banore e zonës ka treguar se ka dëgjuar të shtënat në orët e para të mëngjesit. “Dëgjova tre të shtëna me armë zjarri rreth orës 05:30 të mëngjesit”, tha ajo, duke shtuar se nuk kishte dëgjuar automjete dhe nuk kishte vënë re diçka tjetër të dyshimtë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat, marrëdhënien mes dy personave dhe motivin që çoi në këtë tragjedi.
/vizionplus.tv





