Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bllokoi foltoren e parlamentit duke akuzuar mazhorancën se po shkel rregulloren duke i hequr fjalën opozitës.

 

Shkak për tensionimin e seancës plenare u bë ndarja e kohës në debatin për integrimin; pasi konferenca e kryetareve  i kishte caktuar Partisë Socialiste 2 orë kohë për diskutime, Partisë Demokratike 1 orë dhe Sali Berisha si deputet i pavarur kishte 2 minuta kohë. Edhe pse seanca u ndërpre, Berisha dhe deputetët demokratë shfrytëzuan rrjetet sociale për të transmetuar fjalën e tyre nga salla e kuvendit.

 

Seanca rifilloi pasi disa minutash, por kreu i PD, Berisha. paralajmëroi mazhorancën se nëse nuk respektohet rregullorja, protesta e ardhshme e opozitës do të zhvillohet në parlament.

 

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

“Kjo situatë duhet të marrë fund në rast se doni paqe dhe stabilitet në parlament! Sot merr fund kjo! Dhe, ju garantoj ju siç u zotova më 12 nëntor, se në këtë mënyrë do të jetë populli shqiptar, populli opozitar, që do të flasë në këtë sallë!”

 

Pavarësisht protestës së Berishës dhe deputetëve që e mbështesin, parlamenti respektoi kohën e përcaktuar më herët dhe mazhoranca akuzoi kreun e PD se synon të marrë peng parlamentin e Shqipërisë.

 

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

“është në turpin e Kuvendit që një non grata, së fundmi në bashkëpunim me një bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit të mundohen të pengojnë punën e Kuvendit.”

 

Por përplasja më e ashpër në parlament, u shënua mes dy grupimeve të Partisë Demokratike. Të dy palët akuzuan njëri-tjetrin për bashkëpunim me mazhorancën socialiste, dhe Enkelejd Alibeaj theksoi se nuk e lidh asgjë me Sali Berishën në parlament dhe jashtë tij.

 

 

ENKELEJD ALIBEAJ

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

“S’dua të përfaqësoj askënd dhe asnjë, me të cilët nuk më lidh asgjë. Kjo do të jetë përgjigja ime.”

 

Ndërsa parlamenti vazhdoi debatet për integrimin, Berisha paralajmëroi se protesta e radhës do të jetë në parlament.

 

SALI BERISHA

“Këtu do të vijë populli opozitar t’u thotë disa fjalë këtyre hajdutëve.”

 

Berisha la të kuptohet se kjo protestë do të zhvillohet në 6 dhjetor, kur në Tiranë do të mbahet samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

“Ketu zbret europa, europa duhet të shohë popullin e saj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *