Stuhia e fuqishme e quajtur “Eleanor”ka goditur Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën dhe një pjesë të Francës, duke shkaktuar përmbytje masive.
Autoritetet raportojnë për disa të lënduar në Mbretërinë e Bashkuar, si pasojë e rrëzimit të pemëve nga erërat e forta që e kalojnë shpejtësinë 160 km për orë, ndërsa i bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet në rrugë.
Më shumë se 20 mijë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike në Britaninë e Madhe dhe në Irlandën e Veriut.
Edhe Franca është goditur nga stuhia, ndërsa reshjet e shiut kanë përfshirë të gjithë vendin, duke shkaktuar kaos në autostrada dhe rrugë hekurudhore.
Zyrtarët e Agjencisë së Mjedisit po mbikëqyrin lumin Mersey në Warrington, pasi dyshojnë për ngritjen e nivelit të ujit.





