Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit reagoi për herë të parë për rastin e anëtarit të pezulluar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.

Pas interesimit të mediave, ONM tregoi pse vëzhguesit ndërkombëtarë nuk i kapën problemet e gjyqtarit.

Sipas ONM, Daci në dokumentacionin e dorëzuar nuk kishte dhënë detaje për mandatin e tij të mërparshëm si gjyqtar.

“Ligji i vetingut dhe kushtetuta shqiptare i atribuojnë një rol specifik monitorimi ONM-së në procesin përpara formimit të institucioneve të vetingut. Vëzhguesit e ONM-së kishin një periudhë prej katërmbëdhjetë ditësh për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe më pas nxorën vlerësimin dhe rekomandimet e tyre të arsyetuara (sipas Nenit 7, paragrafi 7 i Ligjit 84/2016). Siç thuhet në secilin parashtrim para parlamentit shqiptar si autoriteti emërues, vlerësimi dhe rekomandimet e arsyetuara të nxjerra për aplikantët u hartuan në bazë të njohurive më të mira të vëzhguesve, si dhe mbi bazën e informacionit të vënë në dispozicion brenda afatit të rreptë të parashikuar me ligj. Për çështjen specifike që lidhet me mosveprimin e pretenduar të z. Dacit për t’iu nënshtruar një veprimi disiplinor gjatë kohës që shërbente si gjyqtar, ONM-ja vëren se në dokumentacionin dhe jetëshkrimin e dorëzuar nga aplikanti në vitin 2017, dhe që u është vënë në dispozicion vëzhguesve në atë kohë, kishte vetëm referencë për përvojën e tij profesionale si avokat dhe nuk kishte të dhëna për mandatin e tij të mëparshëm si gjyqtar.”

Sa i takon pikëpyetjes nëse vendimet e marra nga KPA, ku anëtar i trupës gjykuese ka qenë edhe Luan Daci, ONM u shpreh se ata nuk duhet të hidhen poshtë. Kjo pasi sipas ndërkombëtarëve, vendimet janë kolegjiale.

“Ne konstatojmë se puna e Dhomës së Apelit ka qenë tërësore në thelb. Vendimet e marra nga Dhoma e Apelit janë miratuar në bazë të një mekanizmi kolegjial të vendimmarrjes, nga një kolegj apeli i përbërë nga pesë anëtarë dhe për këtë arsye jo i varur nga një individ i vetëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *