Është shuar në moshën 89-vjeçare akademiku Rexhep Qosja, një nga figurat më të rëndësishme të mendimit kritik dhe albanologjisë shqiptare.
I lindur në vitin 1936, ai ndërtoi një profil të spikatur si studiues, kritik letrar dhe shkrimtar. Për dekada me radhë, veprat e tij u kthyen në referencë për analizën e letërsisë shqipe dhe zhvillimeve kulturore, ndërsa kontributi në albanologji mbetet ndër më të rëndësishmit në këtë fushë.
Lexo edhe :
Rexhep Qosja u dallua për qëndrime të forta dhe të drejtpërdrejta, duke u bërë një zë i rëndësishëm në debatet për identitetin, historinë dhe çështjet kombëtare. Pikërisht kjo qasje e drejtpërdrejtë dhe kritike e vendosi Rexhep Qosen shpesh në qendër të polemikave publike. Ai nuk hezitoi të përballej me figura dhe institucione, duke ngritur debate mbi çështje të ndjeshme si historia dhe identiteti kombëtar.
Botimet e tij, të karakterizuara nga një qasje analitike dhe shpesh avangarde për kohën, sollën një frymë të re në mënyrën e trajtimit të letërsisë, duke sfiduar shpesh modelet tradicionale të mendimit.
Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një prej mendjeve më të ndritura të kulturës shqiptare, ndërsa trashëgimia që lë pas pritet të vijojë të ndikojë edhe në brezat e ardhshëm.
Rexhep Qosja mbetet një figurë e lidhur ngushtë me zhvillimin e mendimit kritik shqiptar, duke u renditur ndër personalitetet që lanë gjurmë të thella në historinë kulturore të vendit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama i ka shprehur ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses.






