Raphael Dwamena kishte gjetur tek Egnatia dhe Shqiperia në tërësi  përmes pasionit të madh për futbollin, parajsen që kërkonte, dyert e së cilës, ia kishin mbyllyr në pjesën tjetër të Europës, me këmbënguljen së ishte shpejt, shumë shpejt që të largohej nga kjo botë.

 

Sot Dwamena është në duart e Zotit, atij që i lutej kaq shumë që ti jepte shendet e forcë të vazhdonte përpara një ëndërr që i ishte prere në mes që nga 2017 kur nisi kalvari I problemeve në zemer e deri në janar 2023, kur pa dritë në fund të tunelit në një vend si Shqiperia, aty ku për fat të keq je vërtet në duart e Zotit.

 

Vdekja e Raphael Dwamenës, pasi u shemb në fushën e lojës në duelin Egnatia-Partizani ekzaktësisht në minute e  24 krejtësisht I vetëm pa asnjë kontakt më kundërshtarët, ishte në fakt një vdekje për fat të keq e paralajmëruar, që askush tek ne nuk guxoi të ndaloj, edhe pse të gjithë e dinin gjëndjen shendetesore të të ndjerit.

 

Të gjithë e dinin që ganezi 28-vjecar ishte refuzuar të luante në Angli në 2017 tek Brighton pikërisht sepse stafi mjekësor i ekipit anglez vuri re problemet ne zemer për të talentuarin Dwamena. Kështu ndodhi edhe në Spanjë ku Real Saragoza dhe Levante refuzuan ti rinovonin kontraten për të njëjtën arsye, pasi pikërisht atje pësoi shokun e parë të fortë në karrierë duke rënë në fushë, cka bëri që ai të vendoste defribilator në zemër. I këshilluan të mos luante më, por ai nuk e mori në konsiderate këtë gjë dhe tentoi të rikthehej duke provuar të shkonte në Danimarke tek Vejle. Edhe atje i thanë jo.

 

Pastaj gjeti si zgjidhje ligën e dytë austriake ku kishte edhe njohje për shkak se kishte ardhur që i vogel në këtë vend. Në Austri pikërisht në një ndeshje kupe mori goditjen e dyte të fortë duke rënë në fushë. I shpëton jetën defribilatori që kishte vendosur në Spanjë.

 

Ishte paralajmërimi i dyte, që edhe ne këtë rast ganezi e shpërfill duke iu falur Jezusit, Zotit të tij. Klubet europiane ia mbyllen dyert, përfhir të shendetit të tij, por nuk ndodhi kështu me Shqiperinë, vendin që konsiderohet parajsa e shumëckaje që shkon në antiteze me rregulla të gjithëpranuara. Një Zot, me siguri jo të cilit I lutej Duamena, e di sesi, e se kush mori përsiper ta konsideroje të aftë për të luajtur në superioren shqiptare, një 28-vjecar që nuk mund dhe nuk duhej të përfundonte në këtë mënyre kaq tragjike. As përkundër këmbënguljes së tij të cmendur për të luajtur, ndonese duke ditur rrezikun e lartë që i kanosej.

 

Pikëpyetjet mbi rastin që duhet të sherbejnë si këmbanë alarmi për futbollin tonë janë të mëdha. Mjafton një rast i tillë shokues për të na kthyer me këmbë në tokë e për të na kujtuar se futbolli shqiptar nuk është vetëm kombëtarja, nuk janë vetëm derbet e kryeqytetit, as lojtarët shqiptarë që luajnë e na bëjnë krenare në europë.

 

Futbolli shqiptar janë mijëra e mijëra fëmijë që stërviten cdo ditë cepave të vendit, mes një mijë e një problemeve, janë dhjetëra klube amatore e profesioniste ku mungojne shpesh edhe kushtet me minimale dhe siguria më e vogël për zhvillimin e garave sportive. Këto dhe jo vetëm…Ndaj është e nevojshme të reflektojmë, thelle madje, duke kujtuar se futbolli dhe sporti përpara se të jenë rezultate, janë socializim, kulture dhe shëndet. E sado pasion që ato mund të kenë brenda, nuk mund të triumfojnë mbi jetën…./ Ervin Sina- Vizion Plus

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *