Referendumet vendore nuk mund të përdoren nga banorët e 15 bashkive që shkrihen si formë për të kundërshtuar hartën territoriale të propozuar nga PS.
Ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume shpjegon se ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor, gjykatës që shqyrton ankimimet zgjedhore, i cili nuk lejon zhvillimin e referendumeve lokale për të kundërshtuar shkrirjen e një njësie vendore. Kume sjell në vëmendje se në vitin 2014 kur mazhoranca vendosi që nga 357 njësi vendore, Shqipëria të ndahej në 61 bashki; banorët e 135 komunave dhe 6 bashkive nisën iu drejtuan KQZ për të nisur procedurën për organizimin e referendumeve dhe KQZ iu dha te drejtë. Por socialistët këtë vendimarrje e goditën në Kolegjin Zgjedhor.
“Dhe kolegji zgjedhor e hodhi poshtë këtë vendim të KQZ me arsyetimin se problemi i kufijve, nuk është cështje që trajtohet nga organet e qeverisjes vendore dhe për pasojë nuk mund të trajtohet me referendum lokal. Pra, nismat që mund të realizohen në këtë drejtim janë vështirësisht të mundshme për t’i cuar deri në fund”, tha Kume.
Sipas ish-kryetarit të KQZ, Kume Shqipëria ka nevojë për një ligj të ri për referendumet, pasi sot të vetmet parashikime ligjore për këtë cështje janë ato të hartuara 23 vite më parë dhe të përfshira në një kapitull në Kodin Zgjedhor.
“Jemi ndër vendet e pakta që nuk kemi një ligj të vecantë për referendumet, në një kohë që këtë na e kërkon Kushtetuta”, shtoi Kume.
E ndërsa referendumi local duket i pamundur, partia demokratike kërkon që për ndarjen territoriale të propozuar nga PS të zhvillohet një referendum i përgjithshëm, në të gjithë vendin, e mbetet për tu parë nëse opozita do ti drejtohet KQZ për të nisur proceudrën zyrtarisht.
Edhe pse kushtetuta dhe ligji parashikojnë te drejtën e qytetarëve për zhvillimin e referendumeve , në shqipëri nuk është zhvilluar asnjë referendum lokal, dhe referendum i fundit i zhvilluar në vendin tonë është ai për miratimin e Kushtetutës në vitin 1998.





