Një pronar kafeneje në Britani është cilësuar hero pasi u hodh në det me rrobat veshur për të shpëtuar tre fëmijë që po rrezikonin të mbyteshin.
Ngjarja ndodhi në plazhin Dumpton Gap, pranë Broadstairs në Kent, ku Steven Doorey-Williams, 56 vjeç, ishte duke punuar në ambientet e brendshme të kafenesë së tij kur dëgjoi britmat e fëmijëve që vinin nga deti.
Ish-marinsi i Marinës Mbretërore britanike dhe ish-zjarrfikësi doli menjëherë jashtë dhe pa dy djem dhe një vajzë që po luftonin me dallgët e forta. Pa humbur kohë, ai mori një unazë shpëtimi dhe hyri në ujë me rrobat veshur.
Doorey-Williams arriti t’i nxirrte fëmijët në breg njëri pas tjetrit, duke i tërhequr përmes dallgëve të forta drejt sigurisë. Një dëshmitare, Jo Drake, tha se ai nuk u mendua dy herë kur dëgjoi thirrjet për ndihmë.
Banorë të zonës kanë lavdëruar guximin e pronarit të kafenesë, duke e cilësuar veprimin e tij një shembull të jashtëzakonshëm kurajoje.
Ngjarja vjen në një periudhë kur autoritetet britanike kanë paralajmëruar për rrezikun e notit në ujëra të hapura. Sipas të dhënave të publikuara këtë verë, të paktën 39 persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me ujërat e hapura në Britani.
/vizionplus.tv





