Një familje nga Ferizaj në Kosovë është goditur nga një tragjedi e rëndë, pasi tre anëtarë të saj kanë humbur jetën në një aksident automobilistik në Gjermani.
Viktimat janë Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, dhe nipi Laurent Aliu, 16 vjeç. Sipas raportimeve nga mediat gjermane, tre të afërmit po udhëtonin drejt banesës së tyre pas qëndrimit për pushime në vendlindje, kur automjeti me të cilin lëviznin doli nga rruga për shkaqe ende të paqarta.
Mjeti ka rrëshqitur poshtë një argjinature dhe ka përfunduar mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë, duke u ndalur pranë binarëve. Tre personat që ndodheshin brenda automjetit kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Operacioni i shpëtimit ka qenë i vështirë, pasi viktimat kishin mbetur të bllokuara në automjet dhe për nxjerrjen e tij është dashur ndërhyrja e një vinçi.
Aksidenti shkaktoi ndërprerje të qarkullimit për disa orë në autostradën A3 në drejtim të Nurembergut, si dhe bllokimin e linjës hekurudhore Regensburg–Nuremberg.
Policia gjermane ka bërë të ditur se shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim. Dyshohet se automjeti me tre viktimat mund të ketë qenë i vetmi mjet i përfshirë në ngjarje.
Me urdhër të Prokurorisë së Regensburgut është angazhuar një ekspert për të rindërtuar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
/vizionplus.tv





