Një raport i fundit mbi sigurinë digjitale në Shqipëri për periudhën janar-dhjetor 2024 ka ngritur shqetësime mbi rreziqet që fëmijët dhe të rriturit përballen në internet.
Raporti tregon se shumica e incidenteve online ndodhin kryesisht në rrjetet sociale më të përdorura nga të rinjtë.
Por cilat janë platformat më problematike?
“Platforma digjitale më e përdorur është “TikTok”, një nga rrjetet më të përdorura ndërsa “Snapchat” më pas dhe “Instagram” figurojnë dy të tjerët më të përdorur respektivisht për 50% dhe 45% të nxënësve”, tha Sara Qoshi, shefe e mbrojtjes, përgjegjëse ndaj incidenteve kibernetike, AKSK.
Sipas raportit të publikuar, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 407 raste të raportuara për incidente digjitale.
“Më shumë qytetarë vijnë dhe denoncojnë. Vetëm hetime të krimeve për pornografinë në internet për vitin 2024 kemi 147 vepra penale të cilat kanë shkuar në prokurori dhe nga këto janë zbuluar 124. Mund të themi që është rritur zbulueshmëria dhe mund të themi në krahasim me vitin e kaluar ka 56 vepra më tepër. Gjatë punës tonë të përditshme në zyrat tona vijnë shumë qytetarë të cilët nuk kanë informacion, jo vetëm qytetarë të cilët janë dëmtuar nga vepra penale por kemi patur raste të hetimit ku as autori i veprës penale nuk ka patur informacion që është një vepër penale”, tha Suela Bonjaku, specialiste pranë sektorit për hetimin e krimeve kompjuterike.
Nga të dhënat e raportit, rezulton se më të prekurat janë vajzat dhe gratë, me 236 raste, ndërsa 168 raste janë raportuar nga djem dhe burra.
Ekspertët e sigurisë digjitale bëjnë thirrje për më shumë masa mbrojtëse dhe edukim mbi përdorimin e sigurt të internetit, veçanërisht për të rinjtë./vizionplus.tv





