Kryeministri Edi Rama ka dërguar emrin e Klodiana Spahiut te Presidenti për dekretim, si ministre e re e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Presidenti ka tashmë 7 ditë në dispozicion për të dekretuar emrin e Spahiut si ministre e Shëndetësisë.
Klodiana Spahiu do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pas dorëheqjes së Evis Salës një ditë më parë.
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997. Më pas, në vitet 1998–2002, është specializuar në fushën e kardiologjisë, në po të njëjtin departament pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Ajo ka kryer një sërë specializimesh ndër vite, si në fushën e kardiologjisë joinvazive: ekokardiografi, PU-EKG, eko-Doppler e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Facoltà di Medicina e Chirurgia “Agostino Gemelli”, Romë, Itali.
Në vitet 2003–2004 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, Departamenti i Lëndëve Paraklinike. Gjatë periudhës tetor 2005 – dhjetor 2005, ka kryer specializim në fushën e kardiologjisë invazive, kateterizimit të zemrës dhe koronarografisë së zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara”, Pisa, Itali.
Vite më vonë, në vitet 2012–2014, ajo ka përfunduar edhe masterin profesional “Për Menaxhimin Shëndetësor”.
Znj. Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekut në klinikën e parë të kardiologjisë në QSUT.
Gjithashtu, ajo ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit gjatë viteve 2003-2009. Më pas është zgjedhur dhe drejtoreshë e këtij spitali.
Ajo ka një përvojë të gjatë edhe në fushën e pedagogjisë. Në vitin 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike, Universiteti i Tiranës dhe në 2006 ka qenë pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë në Universitetin “UFO”, Tiranë.
Viti 2008 dhe në vazhdim – Docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.





