Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ku ka mbetur i vrarë 67-vjeçari Viktor Bardhi.
Sipas informacioneve paraprake, Bardhi është qëlluar me armë zjarri, ndërsa në zonën e Munazit është gjetur edhe një automjet i djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ekzekutimit, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i ekzekutuar në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Martin Bardhi u qëllua me breshëri armësh në lokalin e tij, teksa ndodhej në një tavolinë me tre të afërm. Dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa tre të afërmit e tij mbetën të plagosur.
Martin Bardhi kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga paraburgimi i Lezhës, ku ishte arrestuar për një tentativë vrasjeje ndaj Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit. Përplasjet mes familjeve Bardhi dhe Reçi në zonën e Mirditës dhe Rrëshenit kanë prodhuar ndër vite disa viktima dhe ngjarje të rënda kriminale.
Në janar të vitit 2025, një tjetër anëtar i familjes Bardhi, Kristian Bardhi, i njohur edhe si Marku, u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë. 24-vjeçari u qëllua pas një atentati të organizuar në mbikalimin e Novoselës.
Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, autorët, që dyshohet se ishin tre persona, i zunë pritë të riut dhe më pas e ndoqën me automjet, duke e qëlluar disa herë me armë zjarri. Kristian Bardhi mori tre plumba në trup, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonte u përplas disa herë me trafikndarëset, përpara se të ndalonte.
Ekzekutimi i Viktor Bardhit rikthen në vëmendje konfliktet e përgjakshme mes familjeve në zonën e Mirditës. Policia dhe Prokuroria po hetojnë nëse ngjarja e sotme lidhet me serinë e atentateve të mëparshme dhe nëse motivi i saj është hakmarrja.





