Vlorë/ Policia në gatishmëri, rrethon institucionet arsimore dhe ato të rëndësisë së veçantë ku mund të grumbullohen qytetarët

Policia e Vlorës ka shtuar praninë në institucionet arsimore dhe pranë objekteve të rëndësisë së veçantë, pas protestave të studentëve që kanë vijuar prej disa ditësh në qytetin bregdetar. Forcat e rendit janë angazhuar për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë në ambientet ku zhvillohet procesi mësimor, si dhe pranë institucioneve publike.
Efektivët e policisë janë shpërndarë në ambientet e institucioneve arsimore, kryesisht në gjimnazet e qytetit të Vlorës, por edhe pranë Universitetit “Ismail Qemali”. Prania e tyre është vënë re në disa prej pikave kryesore të qytetit, me fokus të veçantë te shkollat dhe institucionet ku mund të ketë grumbullime qytetarësh.
Prani e shtuar e forcave të rendit vihet re edhe pranë Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve të tjera të rëndësisë së veçantë. Efektivët janë pozicionuar në këto ambiente në kuadër të masave të marra për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.
Shtimi i masave të sigurisë vjen në një kohë kur protestat në Vlorë kanë vijuar prej disa ditësh, me studentë dhe qytetarë që janë mbledhur në shenjë pakënaqësie dhe kanë përcjellë kërkesat e tyre. Situata është shoqëruar me angazhim të shtuar të strukturave të policisë, të cilat po monitorojnë zhvillimet në qytet.
Ndërkohë, prania e uniformave blu në institucionet arsimore dhe pranë godinave publike synon të sigurojë vijimësinë normale të procesit mësimor dhe funksionimin e institucioneve, në kushtet e protestave që kanë perfshire edhe qytetin e Vlorës gjatë ditëve të fundit.




