Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për një takim midis Vladimir Putin dhe Donald Trump në ditët në vijim. Kështu bëri me dije ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.
“Me sugjerimin e palës amerikane, u arrit në parim një marrëveshje për të mbajtur një takim dypalësh në nivelin më të lartë në ditët në vijim, domethënë një takim midis Presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump.”
Sipas zyrtarit rus, palët kanë filluar punën për organizimin, ndërsa java e ardhshme është caktuar si pikë referimi, por është e vështirë të thuhet se sa ditë do të zgjasin përgatitjet. Sa i përket vendtakimit, është caktuar, por do të njoftohet më vonë.
Ndihmësi i Kremlinit tha se i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Ëitkoff, ngriti idenë e një takimi trepalësh midis presidentëve amerikan, rus dhe ukrainas, por Moska nuk dha një përgjigje.
“Ne propozojmë, para së gjithash, të përqendrohemi në përgatitjen e një takimi dypalësh me Trump dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishme që ky takim të jetë i suksesshëm dhe produktiv.”
Ndërkohë, ai shtoi se takimi midis Putinit dhe Ëitkoff ishte konstruktiv; u diskutua puna e mëtejshme e përbashkët për zgjidhjen e krizës ukrainase. Rusia, sipas ndihmësit të Kremlinit, po informon miqtë dhe partnerët për rezultatet e bisedimeve.
Nga ana tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për një takim ballë për ballë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.
“Ne në Ukrainë kemi thënë vazhdimisht se gjetja e zgjidhjeve reale mund të jetë vërtet efektive në nivelin e udhëheqësve. Është e nevojshme të përcaktohet koha për një format të tillë dhe gama e çështjeve që duhen trajtuar. Kjo është e mundur së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.”
Udhëheqësi ukrainas bëri me dije se ka planifikuar t’i zhvillojë “disa” biseda gjatë ditës, përfshirë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, si dhe me zyrtarë francezë dhe italianë.
/vizionplus.tv





