Nga angazhimi në Bordin e Paqes, te Konferenca e Sigurisë në Mynih dhe rekrutimet e reja në Forcat e Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, Pirrro Vengu, në një konferencë për shtyp u shpreh se gjatë këtij viti Shqipëria do të vijojë angazhimet për garantimin e sigurisë në vend dhe në rajon, si edhe do të rrisë kapacitetet mbrojtëse.
“Katër javët e fundit kanë qenë shumë dinamike për ministrinë tonë. Një tematikë tjetër ka të bëjë me politikën e rekrutimeve dhe zhvillimet pozitive në industrinë ushtarake. Takimi i ministrave të NATO-s dhe Korridori VIII, mobiliteti ushtarak, ndërlidhja infrastrukturore – të gjitha këto vendimmarrje na çojnë në një pozicion të rëndësishëm brenda aleancës në këtë korridor strategjik”, tha Vengu.
Ministri u ndal edhe te problematika e krijuar në lumin Shkumbin, e cila ka paralizuar qarkullimin e automjeteve prej katër ditësh në aksin rrugor Librazhd–Pogradec.
“Një çështje tjetër me rëndësi është fondi i kushtëzuar që u jepet bashkive më të dobëta. Kemi një rritje të konsiderueshme për 47 bashki, të cilat ndër vite nuk kanë pasur një instrument financiar që u jep më shumë mundësi për operacionet e emergjencave dhe për të rritur flotën e tyre. Po ashtu, kemi një rritje të fondeve të investimeve prej 18 milionë eurosh, ku 8 milionë janë për projekte që janë tashmë të nisura. Vazhdojmë të mbështesim pritat lumore në lumin Shkumbin, ku një pjesë e mirë e financimit po shkon drejt kësaj ndërhyrjeje”, shtoi Vengu.
Sa i përket sezonit veror dhe rrezikut nga zjarret, edhe pse ishte parashikuar një flotë e re avionësh dhe helikopterësh, ministri theksoi se do të garantohet të paktën një avion i ri për muajt në vijim, në mbështetje të flotës aktuale.
“Është duke u finalizuar ardhja e dy avionëve zjarrfikës për këtë vit dhe do të sigurohemi që të paktën një ta kemi në dispozicion për situatën e zjarreve. Po blejmë dy avionë dhe synimi është që në vitin 2027 t’i kemi të dy operacionalë”, tha ministri Vengu.
Kreu i Mbrojtjes dha edhe shifra lidhur me rekrutimet në Forcat e Armatosura, duke theksuar se interesi ka qenë i lartë dhe se deri në fund të vitit do të jenë 326 vende pune të lira për t’u plotësuar./vizionplus.tv





