Subscribe

Media tradicionale, televizioni apo radio nuk janë të vetmet ku zhvillohen betejat elektorale. Një tjetër hapësirë, gjithnjë e më shumë e shfrytëzuar nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë janë rrjetet sociale.

 

Madje në këto ditët e fundit, faktorët politikë, gjejnë më shumë hapësirë për të bërë fushatë denigruese ndaj kundërshtarëve të tyre, mundësi që nuk i jepet në median tradicionale.

 

Që mesazhi i tyre si në rastin e reklamimit edhe atë të dëmtimit, të mbërrijë te sa më shumë përdorues të rrjeteve sociale, e kryesisht në Facebook, paguhen me mijëra dollarë nga individë apo subjekte politike.

 

Nga një kërkim në të dhënat zyrtare të Facebook për periudhën 12 mars – 12 prill, vërehet se të thuajse të gjitha partitë dhe kandidatët shpenzojnë para për të bërë fushatë përmes rrjeteve sociale.

 

Listën e kryeson Agron Shehaj, kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës. Për një muaj ka investuar 10 mijë e 118 dollarë për 133 postime në llogarinë e tij personale në Facebook.

 

Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka shpenzuar 9 mijë e 168 dollarë, për më pak postime se kandidati i saj, 42.

 

Në shifra pak më të ulta se demokratët janë socialistët. Për 68 postime në faqen e saj zyrtare në Facebook, Partia Socialiste ka paguar 7 mijë e 806 dollarë.

 

Ajo që vërehet në të gjitha rastet që Vizion Plus ka hulumtuar për secilin nga politikanët apo partitë politike që garojnë për zgjedhjet e 25 prillit, mes personave që menaxhojnë llogaritë në rrjetet sociale, me patjetër njëri është nga Izraeli, ndërsa të tjerët nga Shqipëria apo Italia.

 

Nëse bëjmë një llogari të të gjitha parave të shpenzuara nga partitë apo deputetë nga të gjitha forcat politike, përfshirë edhe ata që garojnë për herë të parë, nga 12 Marsi deri në 12 Prill janë mbi 120 mijë dollarë.

 

Në këtë listë, përveç atyre që janë të identifikuar me emër e mbiemër, nga shtatori i një viti më parë vazhdojnë krijohen profile me emra të ndryshëm, pas të cilëve nuk dihet se kush qëndron dhe bëjnë fushatë për një parti ose një tjetër. Burimi i të ardhurave të tyre është e vështirë të identifikohet.

 

Shumat që ata shpenzojnë për të mbështetur apo për të denigruar një parti apo kandidat për deputetë janë nga më e ulta në 1 mijë deri te më e larta, 7 mijë dollarë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *