Presidenti Meta shtroi sot një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Të pranishëm ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, udhëheqës fetarë dhe shpirtërore të bashkësive shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, teologë, përfaqësues nga komunitetet në nevojë, mosha e tretë, paraplegjikë dhe personalitete të ndryshme.

Pasi u uroi mirëseardhjen, duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të shpalosur ndjenjën e vëllazërisë, të dashurisë për njëri-tjetrin, dhe për atdheun tonë. Vendi ynë është i bekuar nga Zoti me resurse, natyrë dhe klimë të mrekullueshme, por mbi të gjitha me një popull të devotshëm, i cili me një besim të thellë në zemër nuk e çrrënjosi atë as edhe në ditët më të errëta të diktaturës së këtij vendi. Për Zot dhe për Flamur shqiptarët e të gjitha besimeve, luftuan krah njëri-tjetrit dhe u vetëmohuan për Pavarësinë dhe Çlirimin. Ata treguan qëndresë të pashoqë ndaj diktaturës dhe rrugëtuan të bashkuar në frymën e vëllazërisë në udhën e mundimshme të emancipimit, barazisë shoqërore dhe zhvillimit të vendit. Muaji i Ramazanit është lajmëtar i mesazheve të ngrohtësisë për të gjithë besimtarët, duke i ftuar ata të tregojnë vlerat më të larta njerëzore, për të treguar më shumë dhembshuri, përkushtim dhe bujari për njëri-tjetrin, në veçanti për më të varfrit, jetimët, familjet në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe të gjithë ata që kanë më shumë nevojë për përkujdesje dhe përfshirje sociale.”

Meta vlerësoi edhe një herë tjetër shembullin e jashtëzakonshëm në drejtim të harmonisë fetare, si një vlerë e cmuar e historisë sonë e cila duhet ruajtur fort.

“Toleranca dhe harmonia janë instrumenti më i mirë me të cilin ne përballemi dhe sfidojmë rreziqet dhe kërcënimet e kohëve moderne, të cilat falë globalizmit kanë bërë që askush të mos jetë më imun.”

Meta shfrytëzoi këtë darke Iftari edhe për ti drejtuar një mesazh politikës shqiptarë në këto kohe krizë dhe mungese të dialogut.Ai tha se të gjithë duhet të lënë mënjanë arrogancën dhe kokëfortësinë dhe politika duhet të jetë me reflekttuesë.

“Në këtë muaj të shenjtë nuk ka vend për zemrat krenare, aq më tepër për arrogancën dhe kokëfortësinë, por për zemërgjerësi, përkushtim, përulësi dhe dashuri.Gjatë këtij muaji edhe politika duhet të jetë reflektuese dhe të ketë më shumë besim, pa harruar se nuk është vetëm besimi ai që i bën njerëzit të jenë më të mirë, por mbi të gjitha janë veprat e mira dhe konkrete. Besimi dhe aktet e mira në shërbim të tjetrit, të komunitetit dhe të kombit duhet të jenë burimi i reflektimit, dialogut, pajtimit, tolerancës, bashkëpunimit dhe përulësisë.Ashtu siç thuhet te një prej haditheve: “Njeriu më i mirë është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit”.Festat tona fetare janë përherë momente bashkimi dhe gëzimi për të gjithë shoqërinë. Ato kthehen te familjet tona në festa të të gjithëve. Ndaj shpresoj që pas pak ditësh Bajrami të na gjejë me begati dhe shëndet.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *