Ilir Meta deklaroi se nuk është hera e parë që një president merr iniciativën për të dalë bashkë me popullin në shesh. Në “Facebook” ai kujtoi se të njëjtën gjë e ka bërë tre vjet më parë edhe Presidenti i Rumanisë.

 

“Kujtoj se vetëm 3 vite më parë, Presidenti i Rumanisë mike, vend anëtar në NATO dhe në Bashkimin Europian, doli në protestë në mbrojtje të shtetit ligjor dhe kundër dhunimit të Kushtetutës nga një mazhorancë dhe Parlament plotësisht kushtetues. Presidenti rumun ju bashkua protestave të mëdha popullore kundër korrupsionit, arbitraritetit, vendimeve të marra në errësirë, ndryshimeve mafioze të legjislacionit në fuqi nga deputetët legjitimë, por në konflikt të hapur interesi, si dhe pastrimit të politikës nga kriminelët.”

 

Sipas presidentit, edhe në Shqipëri situata është e rëndë si në Rumani dhe kjo ka detyruar kreun e shtetit të ngrihet në protestë. Ai theksoi se në 2 mars të gjithë do të shohin një tubim të paparë ndonjëherë.

 

“Nuk vend në Europë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë që prej dy vitesh.Nuk ka vend në Europë ku një dorë e vetme, pasi kalon ligj pas ligji anti-kushtetuese, mbush zyrat e shtetit me trafikantë e kriminelë dhe ngre celula mafioze në krye të ministrisë së Drejtësisë, me qëllim për të kapur edhe drejtësinë. Ndaj për këdo që e ka harruar apo nuk do ta kujtojë rastin e Rumanisë, po ia risjell në vëmendje, duke i ftuar sërish shqiptarët në 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Manifestimin Mbarëkombëtar, të paparë ndonjëherë në Shqipëri, kundër grushtit të shtetit. Shqiptarët e bashkuar kundër puçistëve të zbuluar!”

 

Prej disa ditësh Ilir Meta po mobilizon popullin kundër grushtit të shtetit, sipas tij, dhe vazhdimisht bën thirrje në rrjetet sociale që të gjithë të ngrihen në 2 mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *