Subscribe

Në përmbyllje të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor, liderët e partive politike u bashkuan në mbështetje të kandidatëve të tyre. Nga Prizreni, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaroi se të dielën pret një fitore.

 

ALBIN KURTI

KRYETAR I LVV

 

“Një gjë e kemi të sigurt. Prizreni do ta ketë mbështetjen e qeverisë tani e tutje sepse qeveritë e mëparëshme e kanë dënuar komunën me planin buxhetor. Jam i bindur që do të fitojmë pa balotazh sepse qeverisja e Mytaher Haskukës nga 49 objektiva, 47 i ka realizuar.”

 

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdidxhiku nga Podujeva premtoi rikthimin e partisë, pas rezultatit tejet të dobët në parlamentaret e 14 shkurtit të këtij viti.

 

LUMIR ABDIXHIKU

KRYETAR I LDK

“LDK po kthehet në vendin e parë. Podujeva është e lidhur ngushtë me LDK-në, pa Podujevë s’ka LDK dhe pa LDK s’mund të ketë as Podujevë. Partia e Ibrahim Rugovës e ka vendin këtu, rikthimi i madh nis nga këtu.”

 

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi premtoi rikthimin tek fitore, nga Prizreni e Malisheva.

 

MEMLI KRASNIQI

KRYETAR I PDK

“Ne po rikthehemi në Malishevë jo vetëm për të qeverisur por për të bashkëqeverisur, po rikthehemi jo vetëm për partinë tonë por për qyetarin e Malishevës që deri t ani i ka munguar vëmendja.”

 

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj qëndroi në Prishtinë, aty ku gara do të jetë shumë e fortë. Në historinë e pasluftës vetëm dy parti kanë mundur të sigurojnë postin e kryetarit në kryeqytet, fillimisht LDK e më pas Vetevendosja.

 

RAMUSH HARADINAJ

KRYETAR I AAK

“Çfarë porosie çojmë përmes kryeqytetit? Është më shumë sesa një komunë apo vetëm qeverisje. Daut Haradinaj i ka vlerat që kërkon kjo përgjegjësi, ai është i vendosur, i guximshëm, serizo dhe punëtor. ”

 

Sipas të dhënave nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në 38 komunat e Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë, ndërsa në garën për kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 të tillë.

Investimet në infrastrukturë dhe në fushën e shëndetësisë, janë premtimet që dominuan gjatë fushatës zgjedhore ndërsa garat më të forta po zhvillohen në komunat më të mëdha: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, e të cilat njëkohësisht njihen si komuna që përfaqësojnë shtatë rajonet e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *