“Nuk ka asgjë më logjike se dy shtete me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, të bëhen një shtet i vetëm”, tha Kostadin Kostadinov.
Kjo deklaratë e e liderit të partisë Rilindja, një forcë politike e ekstremit të djathtë në Bullgari, Kostadin Kostadinov, ka shkaktuar reagimin e ashpër të zyrtarëve maqedonas.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut e cilësoi si shkelje të sovranitetit të vendit.
“Synimi për të shprehur në mënyrë të njëanshme një qëndrim të tillë do të thotë mosrespektim dhe mosnjohje. Deklarata të tilla dashakeqe të zyrtarëve të spektrit politik bullgar përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së vendit tonë, e në të njëjtën kohë janë në kundërshtim me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, mosndërhyrjen e shteteve në punët e brendshme dhe politikën e ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mire”, deklaroi Gordana Siljanovska, Presidentja e Maqedonisë së Veriut
Ndaj komenteve të Kostadinovit ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, e cila dënoi deklaratën dhe i bëri thirrje Sofjes zyrtare që t’i denoncojë “këto fjalë”, të cilat, sipas saj, janë kundër parimeve të bashkëpunimit rajonal.
Edhe koalicioni Vlen ka dënuar deklaratat e politikanit të ekstremit të djathte në Bullgari.





