Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Vogla e të Lehta një investim i realizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.
Ai e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të shtetit shqiptar për kontrollin e armëve të vogla e të lehta, municioneve dhe eksplozivëve.
“Dorëzimi i Qendrës së Çaktivizimit dhe pajisjeve për funksionimin e saj është një hap konkret që forcon sigurinë publike, rrit standardet tona profesionale dhe afron Shqipërinë edhe më shumë me praktikat dhe standardet europiane në këtë fushë kaq të ndjeshme”, tha Lamallari.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se kjo qendër përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit dhe brezave të ardhshëm.
“Sot, nëpërmjet kësaj qendre dhe këtij partneriteti të suksesshëm, ne japim një mesazh të qartë se siguria kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta dhe vendosmëri të palëkundur. Armëmbajtja mbetet një kërcënim serioz për sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe luftën kundër krimit të organizuar, ndaj kjo qendër përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit dhe të brezave të ardhshëm”, tha Hita.
Ky projekt përfaqëson një nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërkombëtare në drejtim të reduktimit të rrezikut nga përhapja dhe keqpërdorimi i armëve të vogla e të lehta, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm sigurie që synon parandalimin e qarkullimit të paligjshëm të armëve dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit.





