Në punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi vlerësoi “kolegjialitetin” si një nga parimet kryesore të procesit të rithemelimit të PD-së dhe si bazë për rinovimin e saj në të ardhmen.
Bylykbashi falënderoi delegatët për besimin e dhënë, duke theksuar se rruga e nisur në 11 dhjetor 2021 ka qenë vendimtare për shpëtimin dhe bashkimin e Partisë Demokratike.
“KOLEGJIALITETI është një nga kumtet e mëdha të 11 dhjetorit 2021. Është rruga nga kaloi rithemelimi, bashkimi dhe duhet të kalojë rinovimi dhe modernizimi i PD”, u shpreh Bylykbashi.
Ai kujtoi zhvillimet e asaj periudhe, duke përmendur “Foltoren e demokratëve” dhe Kuvendin e 11 dhjetorit si momente që, sipas tij, shënuan një “revolucion politik” brenda PD-së dhe rikthimin e partisë tek anëtarësia.
Bylykbashi tha se statuti i miratuar atëherë përfaqëson “vlerat dhe parimet themelore” mbi të cilat duhet të vazhdojë organizimi i partisë, me theks te vota e anëtarëve dhe vendimmarrja kolegjiale.
Në vijim, ai theksoi se PD tashmë duhet të kalojë nga faza e mbijetesës në atë të garës për fitore, duke prezantuar një vizion qeverisës, të besueshëm për qytetarët dhe diasporën.
“Që nga sot luftojmë përpara. Na duhet të hartojmë vizionin e një qeverisjeje ku besojnë shqiptarët”, deklaroi Bylykbashi.
Ai shtoi se objektivi i opozitës është fitorja dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke u shprehur optimist për bashkimin e demokratëve dhe frontit opozitar në këtë proces.





